Kosova do të jetë në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila do të mblidhet këtë fundjavë në Sofje të Bullgarisë.
Me këtë rast, Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate.
Në komunikatën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s thuhet se deputetët e saj, mes tjerash, “do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë delegacione të anëtarëve të asocuar”.
“Sfidat e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor do të trajtohen, ashtu si edhe strategjitë për mbështetjen e partnerëve në rrezik dhe për rritjen e angazhimit me Jugun Global”, thuhet në komunikatë.
Autoritetet e Kosovës bënë të ditur qysh në mars se Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e ka avancuar statusin e Kuvendit të Kosovës në këtë trup, shkruan Rel.
Në Serbi, Instituti Ndërkombëtar për Siguri u angazhua për ta penguar avancimin e Kosovës në këtë organizatë.
Në një thirrje drejtuar saj, ai tha se konsideron se dhënia e statusit të anëtarit të asocuar Kuvendit të Kosovës, “do të ishte e dëmshme si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ashtu edhe për proceset e stabilizimit dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”.
“Demokracia në Kosovë nuk është funksionale. Institucionet e saj janë të ngarkuara me një nivel jashtëzakonisht të lartë të korrupsionit dhe praktikave të tjera jodemokratike, ndërsa të drejtat e komuniteteve pakicë, veçanërisht ato serbe, nuk mbrohen”, pretendoi organizata me seli në Beograd.
Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës – së voni edhe kundër anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës.
Organizata serbe tha, po ashtu, se nëntë anëtarët aktualë të asocuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s janë nga “vende të pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht” dhe se “dhënia e të njëjtit status Kuvendit të Kosovës do të ishte një precedent i rrezikshëm”.