Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ka emëruar Avni Kastratin, ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
“Procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ai duhet bazuar në të dhëna të besueshme dhe profesionistë të përkushtuar ndaj suksesit të nismës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Gjatë takimit, sipas njoftimit, Kastrati e njoftoi kryeministrin rreth sfidave dhe problemeve të shumta brenda Agjencisë të cilat e kanë ngadalësuar edhe procesin e regjistrimit.
“Menaxhmenti i ri dhe një frymë e re e përkushtimit ndaj rezultatit është e domosdoshme për zbatim dhe finalizim të procesit të regjistrimit të popullsisë. Kastrati, tanimë në detyrë të re, do të njoftojë Kryeministrin Kurti ditëve në vijim me hapat e radhës në kuadër të procesit regjistrimit, pas sigurimit të pajisjeve teknike për këtë proces”, thekson njoftimi.
Procesi i regjistrimit të popullsisë ka më shumë se një vit që vazhdon të shtyhet.