Avokati Muhamet Halimi ka folur pas ngritjes së aktakuzës nga ana e Prokurorisë Speciale për grupin terrorist i cili kreu agresionin në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023.
Halimi tha se kjo aktakuzë është ngritur brenda një kohe rekord, pasi sipas tij, ka raste që në Kosovë zgjasin për afro 2 vjet për ngritje të aktakuzës.
“Dy gjëra i konsideroj shumë të rëndësishme këtu. Kjo aktakuzë është ngritur brenda një kohe rekord, pasi bazuar në praktikën dhe përvojat e mija edhe gjatë periudhës para dhe pas luftës, ne kemi raste, në krahasim me këtë, raste banale, që neve na zgjasin afro 2 vjet, pasi tani me ndryshimet e reja të Kodit të Procedurës Penale, afati i ngritjes së aktakuzës është tri vjet”.
“Duke pasur parasysh gjithë ato rrethana dhe faktorë që ndikojnë në një hetim të caktuar, ligjdhënësi e ka zgjatur këtë afat, kështu që konsideroj se kjo akuzë është ngritur brenda një afati shumë të arsyeshëm, shumë të shkurtë, duke pasur parasysh kompleksitetin e kësaj çështjeje”, tha Halimi në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se do të dëshmohet se Serbia si shtet ishte në koordinim të plotë me grupin e terroristit Millan Radoiçiq, i cili e kreu agresionin.
“Tani, relativisht organet tona, përkatësisht forenzika është sofistikuar jashtëzakonisht, mirëpo për rast të tillë dhe për burime të informatave të cilat i kanë pasur edhe agjencitë e huaja rreth përgatitjes, rreth veprimeve të këtij grupi që s’do mend se ka qenë drejtpërdrejt i inkuadruar prej shtetit të Serbisë, prej udhëheqjes së tyre dhe çdo gjë ka qenë e koordinuar në bazat strategjike ushtarake të Serbisë”.
“Gjithçka ka qenë e koordinuar në nivelin shtetëror. Do të dëshmohet kjo. E dimë kush është Millan Radoiçiq në nivelin e hierarkisë të subjektit që i takon Vuciqi”, tha ai.
Prokuroria Speciale e Kosovës sot ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për agresionin në Banjskë. Sipas aktakuzës, grupi i udhëhequr nga Radoiçiq kishte për qëllim që t’ia shkëpuste veriun Kosovës dhe atë pjesë të territorit t’ia bashkonte Serbisë.