Analistët thonë se Rusisë i duhet një Ballkan i trazuar për ta shpërqendruar vëmendjen nga lufta në Ukrainë. Kjo dihet dhe shihet. Por, shumica e analistëve i analizojnë proceset duke u nisur nga ajo që ndodh tani. Tendenca për shtrirje në Ballkan, në rajonin e Detit të Zi dhe gjetkë ka qenë pjesë e strategjisë ruse para se të fillonte lufta në Ukrainë. Rikthimi në “zonat e ndikimit” në Ballkan ishte paralajmëruar para më shumë se një dekade.
Shkruan: Salajdin SALIHI, Tetovë
“Nëse Rusinë do ta themelonte Ana Ahmatova, nëse Mandelshtami do ishte ligjvënës dhe Stalini si figurë anësore e një epopeje të humbur gjeorgjiane, nëse Rusia do ta zhvishte gëzofin me qime ariu, nëse do të jetonte nga fjala e jo nga grushti, nëse Rusia, nëse Rusia…”. Kjo është poezia “Nëse Rusia” e Adam Zagajevskit. Sipas tij, Rusia kishte kulturë, muzikë dhe letërsi, por ishte edhe shtet policor.
Nëse Rusia do të ishte ashtu sikurse e dëshironte poeti, sot nuk do të flitej për luftën në Ukrainë, për krizën energjetike, për tensione në Ballkan dhe gjetkë.
Rusia nën gëzofin me qime ariu e përdor grushtin. Haptas ose fshehtas. Drejtpërdrejt ose tërthorazi. Haptas në Ukrainë dhe fshehtas në shumë vende të tjera. Ajo, nëpërmjet Serbisë, krijon probleme në Kosovë, BeH, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut. Në Shqipëri tre të dyshuar si spiunë rusë i sulmuan ushtarët shqiptarë në një repart ushtarak të Gramshit. Sipas analistit Janusz Bugajski, ky ishte akt për destabilizimin e Ballkanit, prandaj kërkoi mbylljen e ambasadave ruse në vendet e NATO-s…
Rusia përherë ka dashur të ketë dhe ka pasur ndikim në Ballkan. Ka shembuj të panumërt, që dëshmojnë se aty ka nxitur probleme dhe konflikte.
Se Rusia ka synime për ta shtrirë ndikimin nëpër vendet të botës, kjo vetëkuptohet. Perandoritë ose shtetet e mëdha synojnë të shtrihen në sa më shumë territore. Ushtarakisht, ekonomikisht ose kulturalisht. Në këtë mënyrë, fuqitë e mëdha, synojnë të duken më të fuqishme në lojën politike ndërkombëtare.
Rusia tani është shumë e fokusuar në Ballkan. Aty e shtrin ndikimin nëpërmjet shërbimeve të ndryshme, politikanëve autoritarë dhe të korruptuar.
Në shtetet ku ka shkallë të lartë korrupsioni, krim të organizuar dhe nuk ka sundim të ligjit, krijohet hapësirë optimale për shtrirje të ndikimit rus. Të korruptuarit i nënshtrohen shantazhit. Ata bashkëpunojnë me çdokënd për interesat e tyre. Të tillët gjithmonë i valëvisin flamujt e moralit dhe atdhedashurisë.
Ky ndikim manifestohet me tensione ndëretnike, politike, ndërshtetërore, sulme kibernetike, propagandë. Realizohet nëpërmjet shërbimeve, partive satelite, elitave intelektuale, mediale, klerikale etj.
Analistët thonë se Rusisë i duhet një Ballkan i trazuar për ta shpërqendruar vëmendjen nga lufta në Ukrainë. Kjo dihet dhe shihet. Por, shumica e analistëve i analizojnë proceset duke u nisur nga ajo që ndodh tani. Tendenca për shtrirje në Ballkan, në rajonin e Detit të Zi dhe gjetkë ka qenë pjesë e strategjisë ruse para se të fillonte lufta në Ukrainë. Rikthimi në “zonat e ndikimit” në Ballkan ishte paralajmëruar para më shumë se një dekade.
Propagandë dhe pansllavizëm
Perëndimi deri tani ka arritur ta menaxhojë ruajtjen e stabilitetit në Ballkan, por ka xixa që mund të shkaktojnë tensione e konflikte. Edhe në shoqërinë shqiptare. Do të ishte naivitet sikur të besonim se Rusia nuk vepron në hapësirën tonë, qoftë drejtpërdrejtë ose tërthorazi, përkundër faktit se elitat tona, për shkak të reminishencave historike, janë më rezistuese ndaj këtij ndikimi. Dokumentet historike dëshmojnë se Rusia shumë herë i ka manipuluar shqiptarët. Historia dëshmon se sa herë Rusia ka vendosur për Ballkanin, shqiptarët kanë qenë humbësit më të mëdhenj.
Në pjesën sllave të Ballkanit, ndërkaq, e ka pasur më lehtë. Aty është parë si aleat dhe mburojë. Sot Rusia adhurohet në vendet ku investon pansllavizëm dhe propagandë kundër vlerave perëndimore. Në Serbi dhe Republika Serbska, ku mbizotëron ndjenja kundër NATO-s, funksionon formula se nuk mund të jesh patriot i madh serb pa qenë pro-rus i përbetuar. Ndonëse në Serbi adhurohet Rusia, afër 60 për qind e tregtisë zhvillohet me shtetet europiane. Formula e mësipërme funksionon edhe te një pjesë e madhe e shoqërisë maqedonase, ku adhurohet Serbia, Rusia dhe urrehet Europa, SHBA, shqiptarët…
Mburoja e pushteteve autoritare e diktatoriale
Rusia sot tenton ta mbajë botën nën tension, në stilin e kidnapuesit që kërcënohet se do ta aktivizojë bombën, nëse dikush i afrohet për ta rrezikuar. Por, ajo vetë e shkakton rrezikun.
Sot ajo ruan raporte të mira vetëm me shtetet autoritare dhe diktatoriale. Është bërë mburojë e tyre. Bota e lirë, ndërkaq, duhet të jetë e vendosur kundrejt politikanëve të këtillë, sepse bashkëpunojnë edhe me djallin për ta mbrojtur veten…
Shkrimtari Mikhail Shishkin, një kundërshtar i regjimit rus, ka shkruar për “The Guardian”, se Europa nuk i kushtoi vëmendje paralajmërimit të tij të vitit 2014, menjëherë pas aneksimit të Krimesë, kur tha: “Në shekullin XXI nuk ka më një luftë të largët, të lokalizuar, se çdo luftë është tani një luftë europiane dhe kjo luftë europiane tashmë ka filluar.”
Politikanët europianë, sipas tij, i mbyllën sytë kundrejt realitetit. Atyre u interesonte përkrahja e votuesve, të cilët donin paqe, punë, çmime të ulëta dhe pushime të këndshme. Shishkini paralajmëron se edhe Putini i ardhshëm do të jetë vetëm një aktor që e luan rolin e parashkruar nga struktura e pushtetit rus. Kjo strukturë nuk shqetësohet sa njerëz do të vdesin në Ukrainë, në Rusi ose gjetkë. As nuk shqetësohet për burimet që shpenzon për armë ose për numrin e viktimave ushtarake. Prandaj, sipas tij, është koha e fundit që bota e lirë ta kuptojë se nuk përballet me një diktator të çmendur, por me një sistem pushteti agresiv, autonom dhe vetërigjenerues.
Nëse Rusia, nëse Serbia…
Nëse Ukraina për elitat ruse nuk do të ishte “Rusi e vogël”, nëse për elitat serbe Kosova nuk do të ishte “zemra e Serbisë”, nëse dy shtetet nuk do t’i mohonin krimet e luftës, nëse nuk do t’i akuzonin viktimat për krime, nëse nuk do t’i quanin “tradhtarë” kundërshtarët e regjimit; nëse në Rusi… nëse në Serbi… kishat ortodokse nuk do të siguronin mbulesë teologjike për veprimet ushtarake, atëherë bota vërtet do të ishte më ndryshe dhe më e qetë nga çfarë është sot.
Realiteti është ndryshe, kurse veprimet e Rusisë dhe Serbisë janë të njëjta. Nëse rusët luftojnë në Ukrainë me shenjën “Z”, serbët luftuan me kryqin me katër “S”, si shenja për bashkim kundër armikut të jashtëm. Rusia dhe Serbia kanë shumë “armiq të jashtëm”. Çdokush që nuk vepron sipas strategjisë dhe politikës së tyre është armik.
Shkrimtari Bulat Okuxhava, një disident antistalinist, tha: “Rusia kurrë nuk e ka njohur institucionin e demokracisë. Ishte shoqëri me psikologji robi, që i shërbeu knjazit dhe mbretit, prijësit dhe gensekut (…) Rusia asnjëherë nuk e kishte institucionin e lirisë. Ajo njihte vullnetin, por jo lirinë (…) Në Rusi asnjëherë nuk e çmuan personalitetin. E çmuan atdheun abstrakt, mëmëdheun, por jo edhe personalitetin”.
Kjo mendësi e largon Rusinë dhe Serbinë nga vlerat perëndimore.