Një biznesmen rus, i akuzuar për kontrabandë të pajisjeve ushtarake, të përdorura në pushtimin e Ukrainës, pritej të ekstradohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – kur arriti të ikte nga arresti shtëpiak në Itali dhe u kthye në Moskë, përmes një plani të suksesshëm arratisjeje. Ja se si ndodhi e gjitha.
Vladimir Jovançiq nuk e fshihte afërsinë e tij me botën e krimit: pseudonimi që ka përdorur në llogarinë e tij në TikTok, ku ka publikuar video të kishave ortodokse, të varkave me motor dhe të palltove të shtrenjta prej gëzofi, është fraza ruse “hajdut i ligjshëm” – zhargon popullor për universin e krimit të organizuar rus, raporton Radio Evropa e Lirë.
Në orën 9:30 të mëngjesit të 17 shkurtit 2023, Jovançiq, shtetas i Bosnje e Hercegovinës, u nis me veturë nga qyteti italian Desenzano del Garda, në bregun jugor të liqenit Garda.
Dy telefonat e tij celularë u lidhën me kullat telefonike në rajon, përderisa ai udhëtonte me veturë për në periferinë e Milanos, në Basiljo, pak më shumë se katër orë larg.
Ishte një hap i hershëm në një plan që kulmoi me një arratisje të guximshme nga arresti shtëpiak për një rus të quajtur Artyom Uss, i cili kërkohej nga autoritetet amerikane mbi akuzën e kontrabandës së teknologjisë së ndjeshme, të përdorur në armët ruse në Ukrainë.
Babai i Ussit ishte guvernator i fuqishëm rus, i lidhur me gjigantin shtetëror të naftës, Rosneft, dhe i afërt me presidentin Vladimir Putin.
Arratisja e Ussit, një ditë pasi një gjykatë italiane miratoi ekstradimin e tij për në Shtetet e Bashkuara, ishte tejet e sikletshme për autoritetet italiane; Italia, tha një ligjvënës, “e turpëroi veten ndërkombëtarisht”.
Qeveria amerikane ka caktuar një shpërblim prej 7 milionë dollarësh për kapjen e tij.
Por, plani i ndërlikuar i arratisjes së tij hodhi dritë mbi operacionet e një grupi të krimit të organizuar ndërkombëtar, me rrënjë në Serbi, dhe la të kuptohej se si rusët me lidhje të fuqishme mund të jenë mbështetur në fakt në agjencitë e inteligjencës për të nxjerrë nga paraburgimi biznesmenin e kërkuar, dhe për ta çuar atë ku s’mund të jetë i kapshëm nga autoritetet italiane dhe amerikane.
Prokurorët italianë kanë akuzuar gjashtë persona mbi dyshimet për përfshirje në këtë plan.
Tre janë në paraburgim: një në Kroaci e një në Slloveni – që të dy në pritje të ekstradimit në Shtetet e Bashkuara – dhe një tjetër në Itali.
Tre të tjerë mbeten ende në kërkim.
Duke përdorur materiale hetimore dhe video të përgjimeve, të siguruara nga autoritetet italiane, si dhe prova të paraqitura nga prokurorët në Shtetet e Bashkuara dhe dy vende të tjera, Radio Evropa e Lirë ka zbuluar skemën se si Uss u arratis nga një lagje e mbyllur në periferi të Milanos, kaloi tre kufij dhe në fund fluturoi drejt Rusisë nga Beogradi.
Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.