Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve në Parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës (BeH), Nebojsha Radmanoviç, shprehu dëshirën e tij që Rusia të kishte një ndikim më të madh në ngjarjet politike në BeH, duke e arsyetuar atë me “nevojat kulturore” të serbëve.
Radmanoviç, i cili më parë ishte anëtar i Presidencës trepalëshe të BeH-së, aktualisht është kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe konsiderohet si një nga bashkëpunëtorët më besnikë të Presidentit të Republikës Srpska (RS), Milorad Dodik.
Në një intervistë të publikuar nga mediat e RS-së të mërkurën, Radmanoviç tha se duhet të ketë më shumë ndikim rus në BeH, duke shprehur keqardhjen që nuk është e lehtë të bëhet një gjë e tillë në marrëdhëniet ekzistuese për shkak të luftës në Ukrainë.
Ai tha se shpreson që të ketë më shumë bashkëpunim të tillë në të ardhmen, ndër të tjera, për shkak të rëndësisë kulturore të Rusisë në botë dhe faktit se serbët, si entitet përbërës në BeH, janë të lidhur emocionalisht me rusët.
Radmanoviç pretendoi se nuk ka ndikim dashakeq rus në BeH, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një “pikëpamje inteligjente-politike” dhe se nuk ka të dhëna se kush do të ishte bartës i ndikimit rus.
“Unë pretendoj dhe mund të vërtetohet se më e pakta nga të gjitha ndikimet e huaja këtu është ndikimi i Federatës Ruse. Nuk mund të sigurosh jetesën nga ambasadat e vendeve perëndimore më me ndikim në BeH dhe mga delegacioni i BE-së”.
Kujtojmë se Dodik refuzoi të dënonte agresionin rus në Ukrainë, duke mbrojtur lidhjet e tij personale me Vladimir Putin-in.