Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit, premtoi se nën qeverisjen e tij, Kosovës do t’i hiqen sanksionet, e marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-të do të forcohet.
Ai shtoi se Kosova do të promovojë stabilitet rajonal, dhe premton se vendi ynë do të ecë me hapa të shpejt drejt integrimit euroatlantik.
“Në qeverisjen time, Kosova do t’i riparojë dhe forcojë marrëdhëniet me vendet e Bashkimit Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtetit tonë do t’i hiqen sanksionet ndërkombëtare dhe do ta thellojmë bashkëpunimin strategjik. Do të promovojmë stabilitet rajonal dhe do të ecim me hapa të shpejt në procesin e integrimit euroatlantik”, tha Hamza.
Tutje, kandidati për kryeministër para pjesëmarrësve nuk kërkoi vetëm votën e tyre, por pjesëmarrjen e tyre aktive përgjatë rrugëtimit. Hamza kërkoi që qytetarët të vendosin për të ardhmen, për PDK-në, për numrin 131.
“Ua kuptoj frustrimin, por me mua nuk do të jetë njëjtë, prandaj sonte nuk e kërkoj vetëm votën tuaj, por edhe pjesëmarrjen tuaj aktive në këtë rrugëtim. Bashkë do ta ndërtojmë një Kosovë që do ta përmbush premtimin e historisë sonë dhe potencialin e së ardhmes. Kosova mundet ma mirë”.
“Vendosni për PDK-në dhe numrin 131, vendosni për Kosovën që mundet ma mirë, zgjidhni të ardhmen”, përmbylli fjalimin e tij Hamza.