Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), e cila është nën pronësi të kompanisë ruse Gazprom Neft.
Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard Verma, sqaroi gjatë një vizite në Beograd se këto masa nuk synojnë Serbinë, por Rusinë.
Për këtë arsye, Verma sugjeroi se “largimi i pronësisë ruse nga kompania do të përmirësonte stabilitetin në rajon” dhe do të ndihmonte Serbinë të diversifikojë burimet e saj të energjisë dhe të bëhet më e pavarur.
Ndryshe, Industria e Naftës së Serbisë është kompania e vetme në vend që merret me kërkimin, prodhimin dhe rafinimin e naftës, si dhe me prodhimin e gazit natyror. Gazprom Neft zotëron shumicën e aksioneve të NIS-it (56.15 për qind), ndërsa Serbia mban 29.87 për qind të aksioneve. Pjesa tjetër u përket aksionarëve më të vegjël.