Njohja e Kosovës nga Bahamasi po vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur mirënjohjen e tij për këtë vendim, duke e cilësuar atë si një kontribut domethënës për rendin ndërkombëtar dhe stabilitetin në rajon.
“Shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj Bahamasit për njohjen e Kosovës, një kontribut kuptimplotë në paqen, stabilitetin dhe forcimin e rendit ndërkombëtar në rajonin tonë”, ka shkruar kreu i shtetit shqiptar.
Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar këtë njohje si një moment historik për vendin. Sipas saj, Bahamasi bëhet shteti i 121-të që njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
“Edhe një vendim historik për vendin tonë. Bahamas bëhet shteti i 121-të që njeh Kosovën. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës sonë! Sot, këtu në kryeqytetin e Bahamas, kemi nënshkruar marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Kryeministrin Philip Davis”, ka shkruar Osmani.
Njohja nga Bahamasi pritet të forcojë më tej pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.


























