Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq tha se pas Gjermanisë dhe Austrisë, presin që edhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian (BE) të vendosin sanksione ndaj Milorad Dodikut, presidentit të Republikës Sërpska (RS), një nga dy entitetet e BeH-së, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Konakoviq diskutoi mbi vendimet e presidentit të RS Milorad Dodik dhe Asamblesë Kombëtare të RS (NSRS) kundër kushtetutës së vendit me ministren e Jashtme të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, e cila bëri një vizitë zyrtare në BeH.
Duke folur në konferencën e përbashkët për media të mbajtur pas takimit të delegacioneve, Konakoviq tha se me Meinl-Reisinger kanë biseduar për situatën aktuale në BeH si dhe për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
Konakoviq tha se Dodik minoi sistemin gjyqësor në vend.
“Njerëzit në BeH kanë frikë se situata do të përkeqësohet. Dodik aktualisht është në pritje të vendimit të gjykatës së shkallës së dytë dhe po i provokon ata duke mos shkuar në gjykatë për hetime të reja kundër tij. Integrimi gradual i ekonomisë sonë në ekonominë evropiane është shumë i rëndësishëm. Kemi marrë informacion nga burime diplomatike se ashtu si Austria dhe Gjermania edhe vende të tjera të BE-së do të zbatojnë sanksione ndaj Dodikut. Ne jemi inkurajuar nga këto sanksione. Presim sanksione të reja nga vendet anëtare të BE-së”, tha ai.
Konakoviq akuzoi Dodikun se sillet në mënyrë të “çekuilibruar”. “Ai është dikush që ka humbur plotësisht drejtimin e tij. Ai shpreson në mbështetje nga presidenti amerikan Donald Trump. Ai nuk është me këmbë në tokë. Nëse nuk do të ishte një kriminel i rëndë, do të ishte një klloun. Ndaj tij duhet patur kujdes, sepse është i çmendur. Ne jemi të kujdesshëm, por nuk kemi frikë”, tha Konakoviq.
– Austria mbështet anëtarësimin e BeH-së në BE
Ministrja e Jashtme austriake, Meinl-Reisinger deklaroi gjithashtu se ata janë të gatshëm të mbështesin procesin e anëtarësimit të BeH-së në BE. Ajo tha se veprimet e fundit të Dodikut përbëjnë kërcënim për stabilitetin, rendin kushtetues dhe integritetin territorial të BeH-së.
“Ne po monitorojmë me kujdes procesin ligjor që zhvillohet kundër Dodikut. Por, Dodiku i shpërfill këto procese. Së bashku me Gjermaninë morëm vendim të vendosim sanksione që ndalojnë hyrjen e Dodikut dhe dy personave të tjerë në vendin tonë. Në këtë mënyrë, ne donim t’i jepnim një mesazh mbështetjeje BeH-së, e cila të ardhmen e saj e ka në BE. Sanksionet janë në fuqi, ndaj Dodikut dhe personave të tjerë u është ndalur hyrja në Austria ose kalimi përmes saj. Mendoj se ishte e nevojshme të jepej një paralajmërim”.
Më tej Meinl-Reisinger vuri në dukje se duan të forcojnë më tej marrëdhëniet ekonomike me BeH-në dhe se më shumë se 170 mijë boshnjakë dhe hercegovinas që jetojnë në Austri i shtojnë pasuri shoqërisë austriake.
Gjermania dhe Austria krahas Dodikut ndaluan hyrjen në vendet e tyre edhe për presidentin e NSRS, Nenad Stevandiq dhe kryeministrin e RS Radovan Vishkoviq.
– Tensionet politike në BeH
Gjykata e BeH-së e dënoi Dodikun me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalesë në veprimtari politike për “mosrespektim të vendimeve të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR)”.
Menjëherë pas vendimit të gjykatës, Asambleja Kombëtare e RS-së (NSRS) votoi për ndalimin e aktiviteteve brenda entitetit serb të institucioneve shtetërore, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial (VSTV), Zyrën e Prokurorisë, Gjykatën e BeH-së si dhe Agjencinë e Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA).
Pavarësisht të gjitha paralajmërimeve, Dodiku vazhdoi hapat e tij separatiste dhe paralajmëroi diskutime në NSRS për “kushtetutë” të re. Po ashtu u tha se ndryshimet përfshijnë nene “separatiste”, si “e drejta e RS-së për vetëvendosje” dhe “krijimi i ushtrisë së RS-së”.
Zyra e Prokurorit të BeH-së së fundmi lëshoi urdhër arresti për Dodikun, kryetarin e Asamblesë Kombëtare të RS (NSRS) Nenad Stevandiq dhe kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviq me akuzën e “kërcënimit të rendit kushtetues”. Për këta persona që nuk respektuan vendimin e arrestimit u lëshua për herë të fundit një urdhër arresti brenda vendit.