Na ndajnë vetëm dy ditë nga akti i fundit për këtë sezon i “El Clasicos” dhe sulmuesi i Real Madrid, Karim Benzema, ka vendosur ta motivojë ekipin e tij para kësaj përballje të rëndësishme. Në një prononcim për kanalin zyrtar të La Liga, bomber francez vlerësoi kundërshtarin, por kërkon përqëndrim nga skuadra e tij në pjesën e mbetur të sezonit.
“Është ndeshja më e bukur në botë dhe ne do ta luajmë sikur të ishte një finale. Real Madrid dhe Barcelona janë dy skuadra që kanë një histori të madhe dhe si gjithmonë do të jetë një ndeshje e vështirë kundër një ekipi që pëlqen të ketë kontrollin e topit.
Gjithsesi ne do të hyjmë në fushë për të fituar. Ata e kanë portierin e mirë dhe normalisht Messin, i cili mund të bëjë gjithçka. Duhet të përqendrohemi dhe të tregojmë kujdes”, deklaron francezi.
“Sezoni im më i mirë? Nuk e di nëse ky është më i miri i karrierës sime. Çdo vit unë e filloj nga zero dhe përpiqem të përmirësohem. Ajo që ka më shumë rëndësi është të fitoj. Në fushë ndihem i lirë, bëj atë që dua dhe ndihmoj ekipin.
Kemi ende disa ndeshje për të luajtur dhe besoj se kampionati do të vendoset në fund. Duhet të luajmë në çdo ndeshje sikur të ishin finale për ne”, përfundon Benzema, i cili ka realizuar 18 gola në 25 ndeshje në kampionat sezonin aktual. /abcnews.al