Agjencia për Siguri dhe Informacion (BIA) dhe Shërbimi Ushtarak i Inteligjencës (VBA) janë duke bashkëpunuar me mercenarët pro-rusë nga Serbia, të cilët po luftojnë në Ukrainë.
Këtë e ka konfirmuar me anë të një video krimineli i luftërave serbo-ruse Dejan “Deki” Beriq, duke shtuar se BIA dhe VBA-ja i ka ofruar këtij informacione sekrete.
“Njerëz nga BIA dhe VBA-ja më jepnin shpesh informacione dhe kanë lejuar që një pjesë e tyre të publikohet”, ka pohuar Beriq.
Në përshkrimin e videos thuhet se Beriq është bashkëpunëtor i shërbimeve serbe nga Donbasi dhe Rusia.
“Nëse dikush nuk ka besuar deri më tani se të gjitha informacionet për vullnetarët serbë rrjedhin në BIA dhe Beriqi, ja ku është, këtë e ka pranuar edhe ai vetë. U rrëmbye paksa në fjalën e tij. I vetmi bashkëpunëtor i vërtetë i shërbimit serb nga Donbasi dhe Rusia”, thuhet në përshkrimin e videos të publikuar në Facebook.
Nga Serbia në Ukrainë për të luftuar krahë agresionit rusë kanë shkuar shumë ish-kriminelë të luftës.
As Bashkimi Evropian e asnjë mekanizëm tjetër ndërkombëtar, nuk i ka bërë presion Serbisë që t’i ndalojë mercenarët për t’iu bashkëngjitur kësaj lufte. Përkundrazi, mediet e kontrolluara në Serbi vazhdojnë t’i thurin lavde Vladimir Putinit, duke mbajtur marrëdhënie të mira me Kremlinin.


























