Aleksandër Vulin, drejtor i Agjencisë së Informacionit të Sigurisë (BIA), ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Në një deklaratë për media, Vulin ka thënë se SHBA-ja dhe BE-ja po e kërkojnë kokën e tij si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit të Serbisë, Sonja Biserko. thotë se nga Banjska e deri më sot është intensifikuar aktiviteti i Perëndimit dhe ka presion të madh ndaj Serbisë, sepse ngjarja në Banjskë është paralajmërim se çfarë mund të ketë ndodhur, transmeton lajmi.net.
“Presioni u rrit dhe herën e fundit që Ursula Von der Leyen ishte atje ajo tha qartë se Serbia pritet ta njohë Kosovën, që do të thotë se Kosova duhet të lejohet lirisht të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare dhe se duhet lejuar të bëjë shumë gjëra të tjera dhe me sa mund të shohim ajo pjesë që kishte të bënte me Vulinin u përmbush. Vuçiqi përfundimisht u detyrua ta zëvendësojë Vulinin”, tha ajo për Antenu M.
Biserko është i mendimit se Vuçiqi nuk hoqi dorë nga bindjet e tij, por se u detyrua të zëvendësojë Vulinin.
“Natyrisht që presioni i Perëndimit ndaj aktorëve në Ballkan është rritur dhe mendoj se kjo mbi të gjitha i përket largimit përfundimisht nga politika e zbutjes dhe përbuzjes ndaj Serbisë, duke shpresuar se ajo do të kthehet drejt Perëndimit, gjë që nuk ndodhi. Do të shohim se si do të zhvillohen gjërat më tej, do të shohim se kush do ta zërë vendin e Vulinit, ndoshta dikush nga rrethi i tij i ngushtë. Ne e dimë se Vulini ishte agjent rus, që punonte për Rusinë. Ai filmoi opozitarët rusë të cilët kishin takime në Serbi dhe i çoi direkt te Peskov. Ai ka bërë një sërë gjërash që flasin për lidhjen e tij me shërbimin rus”, tha Biserko.
Biserko konkludon se Vulin do ta zëvendësojë dikush nga mjedisi i tij i cili, siç shton ai, do të jetë verbalisht më i moderuar në atë që thotë duke marrë parasysh rrethanat në të cilat ndodhet Serbia tani.