Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka takuar deputetin e vetëm shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi, me të cilin diskutuan për zhvillimet aktuale me theks të veçantë në pozitën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, përcjell KosovaPost.
Në njoftimin për media, thuhet se në këtë takim u tha se bashkëpunimi i vazhdueshëm është i rëndësishëm për adresimin e shtypjes e diskriminimit sistematik me të cilin ballafaqohen bashkatdhetarët tanë.
“Përkushtimi dhe angazhimi i qeverisë vijon të jetë produktiv edhe gjatë këtij viti ku kemi ndarë 3 milionë euro nga buxheti i shtetit për Luginën, mbështetje financiare kjo më e madhe për 50%, një milion më shumë sesa viti 2023, me qëllim mbështetjen e pakusht në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar, traditave, kulturës e gjuhës”, thuhet në njoftim.