Njeriu i dytë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht i ngarkuari me rolin e kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislim, është deklaruar pas takimit që ka pasur me kundërshtarin e tij serb, Petar Petkovic, që sot është mbajtur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, më saktë nga dërguari special i BE-së, Miroslav Lajcak, transmeton Kosova Post.
Teksa është përgjigjur pyetjes për rezultatet nga takimi i sotëm, kryenegociatori kosovar ka thënë se sot nuk është dasht të pritet për ndonjë rezultat.
Ky takim, siç ka thënë ai ka qenë për ta bërë të qartë se ku ndodhet procesi i dialogut dhe se ku duam të shkojmë.
Ai ka thënë edhe se sot është diskutuar për gjithçka që ka të bëjë me marrëveshjen e 27 shkurtit.
Pos këtyre, Bislimi ka kritikuar palën serbe duke thënë se këta të fundit nuk kanë pasur gatishmëri që të diskutohet.
Zëvendëskryeministri ka njoftuar edhe se, situara në veri nuk ka qenë fare pjesë e diskutimeve.
‘‘Unë mendoj që rezultati as nuk është dasht të pritet sot. Është thellim i diskutimeve në mënyrë që ta kem të qartë se ku ndodhemi me procesin dhe se ku duam të shkojmë. Gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes bazike të 27 shkurtit. Pala serbe ka thënë se ne na intereson vetëm pjesa e Asociacionit e pastaj do të flasim për pjesën tjetër. Mirëpo nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që sot të diskutohet. Situata në veri nuk është trajtu fare sot. Mirëpo kanë qenë dokumentet të cilat na i ka sjell zoti Lajcak në vizitën e tij me 11 maj në Prishtinë’’, ka thënë Bislimi ndër tjerash.