Diplomatët e lartë nga Shtetet e Bashkuara, Turqia, Bashkimi Evropian dhe vendet arabe kanë rënë dakord që një qeveri e re në Siri duhet të respektojë të drejtat e pakicave, tha të shtunën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pas bisedimeve në Jordani dhe kontakteve të drejtpërdrejta me rebelët që rrëzuan presidentin Bashar al-Assad.
Takimet u zhvilluan ndërsa fuqitë rajonale dhe globale përpiqen për ndikim mbi çfarëdo qeverie që zëvendëson Asadin, i detyruar të largohet një javë më parë.
Blinken tha në një konferencë shtypi se grupi kishte rënë dakord për një komunikatë të përbashkët që kërkon gjithashtu një qeveri gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese që respekton të drejtat e pakicave dhe nuk ofron “një bazë për grupet terroriste”.
“Marrëveshja e sotme i dërgon një mesazh të unifikuar autoritetit të ri të përkohshëm dhe palëve në Siri mbi parimet thelbësore për të siguruar mbështetjen dhe njohjen shumë të nevojshme”, tha Blinken.
Fqinji i Sirisë, Jordania po priste mbledhjen e së shtunës në Akaba. Rusia dhe Irani, të cilët ishin mbështetësit kryesorë të Asadit, nuk u ftuan.
Blinken, i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Geir Pederson, dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, Fidan dhe ministrat e jashtëm nga Jordania, Arabia Saudite, Iraku, Libani, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Katari u takuan rreth një tavoline për të diskutuar, në tavolinë nuk kishte asnjë përfaqësues sirian.
Diplomatët arabë u takuan më parë veçmas dhe lëshuan një deklaratë duke bërë thirrje për një tranzicion politik paqësor dhe gjithëpërfshirës që të çon drejt zgjedhjeve dhe një kushtetute të re.
Diplomatët arabë që merrnin pjesë në bisedime i thanë Reuters se po kërkonin garanci nga Turqia se ajo e mbështet këtë, si dhe parandalimin e ndarjes së Sirisë në vija të sektit, shkruan Reuters