Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell ka siguruar qeverinë ukrainase për mbështetjen e palëkundur të BE-së në konfliktin me rebelët prorusë në lindje të vendit.
“Bisedë me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba. Ndjekim me shqetësim të madh aktivitetin ushtarak rus përreth Ukrainës”, shkroi Borrell në Twitter pas një telefonate me Kuleban.
“Mbështetje e palëkundur e BE për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”, pohoi Borrell.
Ai tha se çështja do të diskutohet më tej në takimin e ardhshëm të ministrave të Jashtëm të BE.
Në fundjavë, Ukraina dhe separatistët prorusë në rajonin e Donetsk akuzuan njëri-tjetrin për sulme.
Gjermania dhe Franca, të cilat po ndihmojnë për të gjetur një zgjidhje për konfliktin në Ukrainë përmes të ashtuquajturit Formati i Normandisë, shprehën shqetësim në lidhje me “numrin në rritje të shkeljeve të armëpushimit”.
“Ne po monitorojmë nga afër situatën dhe në veçanti lëvizjet e trupave ruse dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje”, thanë ata në një deklaratë.
Sipas vlerësimeve të OKB, më shumë se 13 000 njerëz janë vrarë në këtë konflikt.ATSH