Lufta e Ftohtë nuk ka përfunduar. Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Federatës Ruse janë në pikën më të ulët. Këtë herë shënjestër e këtij incidenti mund të jetë Kuba, aty ku Rusia do të dërgojë anijet e saj luftarake. Ishulli komunist vetëm pak milje larg Shteteve të Bashkuara do të mirëpres anijet e mëdha luftarake ruse të cilat janë pjesë e Flotës Veriore.
Lajmi është bërë i ditur nga komandanti i Marinës ruse, Alexander Moiseev, citon Ria Novosti.
Pjesë e ekuipazhit të anijeve do të jetë edhe një nëndetëse me energji bërthamore. Besohet se prania e anijeve luftarake ruse do të jetë për arsye ceremoniale. E etur për të rritur mbështetjen diplomatike për luftën e saj në Ukrainë, Rusia e sheh Kubën si një vlerë për ta përqafuar për shkak të ndikimit të saj midis vendeve në zhvillim. Lëvizje të ngjashme Rusia po zhvillon edhe në Atlantik.
Fregata ruse, Gorshkov, e cila mban raketa hipersonike Zirkon, dhe nëndetësja bërthamore Kazan po kryejnë stërvitje në Atlantik duke përdorur armë me precizon të lartë.
Gjatë lëvizjes së tyre, anijet luftarake kanë lëshuar raketa me rreze deri ne 600 km largësi. Sakaq, lajme jo të mira vijnë nga Europa Lindore, e cila ndodhet shumë afër gjigandit rus. Ministri i Jashtëm i Polonisë ka ngritur alarmin se Bashkimit Europian i kanoset rreziku i një konflikti të afërt me Rusinë.
“Rusia mund të ketë njëqind koka bërthamore në rajonin perëndimor të Kaliningradit. Unë e njoh shumë mirë Rusinë, mentalitetin dhe politikat e tyre ekspansioniste. Një raketë ruse ra 10 km nga shtëpia ime, në vitin 2023. Rusia ka 300 vite që mendon të pushtojë Europën. Prandaj ju them se rreziqet e një sulmi ndaj Europës janë reale”. Radosław Sikorski, Ministri i Jashtëm i Polonisë
Kërcënimi për Europën është termi më i përdorur nga lideri i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Gjatë konferencës në Gjermani me Kancelarin Olaf Scholz, Zelenskyy theksoi se tha se Ukraina nuk duhet të ndahet, duke tërhequr paralele me historinë e Murin e Berlinit.
Fjalimi i Zelenskyy në Bundestag u bojkotua nga dy parti, përfshirë Alternativën për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë, mbështetja e së cilës u rrit në zgjedhjet evropiane.