Hyrja e Kroacisë në zonën e Shengenit nga 1 janari i viti 2023 nënkupton kufizime shtesë për shtetasit fqinj, por edhe ato të rajonit që nuk janë pjesë e kësaj zone. Këto kufizime kryesisht kanë të bëjnë me produktet ushqimore që lejohet të futen përtej kufirit kroat.
Heqja e traut në pikat kufitare me Slloveninë, Italinë dhe Hungarinë nënkupton forcimin e kontrollit të kufijeve të jashtëm të zonës së Shengenit.
Fqinjët e kroatëve që nuk janë pjesë e BE-së, (Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia) ose shtetasit e vendeve të treta në ra,st të udhëtimit në zonën Shengen duhen t’i kenë parasysh kufizimet për produktet ushqimore dhe jo vetëm.
Produktet e mishit dhe të qumështit përfshihen në kategorinë e ushqimeve për të cilët më së shumti ekzistojnë kufizime. Ndërsa, lejohet sasi e caktuar e frutave, perimeve, si dhe produkteve nga vezët dhe mjalti.
Nëse vendosni të niseni në vendet e Evropës përmes Kroaciës, mund të bartin vetëm dy kilogram për person nga produktet e lejuara.
Kufizime po ashtu ka edhe për produktet e peshkut.
Për produktet bimore, të cilat përfshijnë frutat dhe perimet dhe barishtet e prera, kërkohet një certifikatë fitosanitare të shëndetit të bimëve, e cila konfirmon se produkti nuk është i infektuar me dëmtues të caktuar.
Gjithashtu, rregulla të caktuara ka edhe për ushqimin e fëmijëve. Në zonën e Shengenit lejohen maksimumi dy kilogramë qumësht pluhur për foshnjat, ushqim për foshnjat dhe ushqime të veçanta që përdoren për arsye mjekësore, si dhe maksimumi dy kilogramë ushqim për kafshët shtëpiake.
Nëse mbani mish ose produkte të qumështit që nuk i keni deklaruar, këto produkte konfiskohen dhe asgjësohen dhe mund të shqiptohen gjoba ose të iniciohet procedurë penale.
Masat e posaçme në zonën e Shengenit ekzistojnë edhe për futjen e duhanit. Kësisoj, një person me vete nuk lejohet të bartë më shumë se 50 gramë duhan, respektivisht jo më shumë se 40 cigare ose 20 cigare të llojit puro.
Mund të bartni mallra të tjerë me vlerë si parfum, por deri në një vlerë maksimale prej 300 euro për pasagjer ose 430 euro për pasagjer që udhëton në rrugë ajrore ose detare.
Përveç karburantit në rezervuarin tuaj, mund të mbani maksimum 10 litra karburant në një rezervuar portativ. Ky rregull vlen për të gjitha llojet e mjeteve motorike.
Nëse keni ndërmend të bartni më shumë se 10.000 euro para të gatshme përtej kufirit (ose ekuivalentin e kësaj shume në monedha të tjera, duke përfshirë monedhat që nuk janë më në qarkullim, por të pranuara nga bankat për konvertim), duhet t’i deklaroni ato te autoritetet doganore deri në dorëzimin e formularit të deklaratës së parasë së gatshme të BE-së. Nëse nuk e bëni këtë, ose nëse aplikacioni është i pasaktë ose i paplotë, mund të gjobiteni.
Të gjitha llojet e bukës, ëmbëlsirave, biskotave dhe produkteve buke të përpunuara termikisht dhe të qëndrueshme kalojnë kufirin pa kufizime a regjistrime. Mund të transferohen edhe çokollata dhe ëmbëlsira, makarona dhe petë, gjithashtu të përpunuara me kohë dhe pa produkte mishi, si dhe koncentrate supe dhe përmirësues të shijes.