Presidenti amerikan, Joe Biden dhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump janë drejt një përballjeje tjetër në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Por, sfidat ligjore të Trumpir dhe mosha e të dy kandidatëve mund të ndikojnë fushatën presidenciale. Ekspertët theksojnë se tërheqja e kandidatëve kryesorë nga gara për president do të çonte në procese të ndërlikuara për zëvendësimin e tyre.
Trump përballet me 91 akuza penale dhe të paktën njëri nga gjyqet mbi këto akuza pritet të zhvillohet këtë vit.
Problemet shëndetësore mund të ndikojnë tek Biden, i cili është 81 vjeç.
“Në shtyp flitet për moshën e Bidenit, por jo atë të Trumpit”, tha Biden. Trump është 77 vjeç.
Por, çfarë ndodh nëse njëri nga kandidatët vdes ose për arsye shëndetësore nuk mund të vazhdojë fushatën para zgjedhjeve të nëntorit?
Nëse kjo ndodh para kuvendeve kombëtare të dy partive, disa shtete mund të shtyjnë datën e zgjedhjeve paraprake për të lejuar hyrjen e më shumë kandidatëve në garë.
Kandidatët për president të secilës parti shpallen në kuvendet e tyre kombëtare. Kuvendi kombëtar i republikanëve do të mbahet në korrik ndërsa ai i demokratëve në gusht. Nëse kandidati që kryeson garën tërhiqet dhe asnjë kandidat tjetër nuk arrin të sigurojë shumicën e votave, atëherë delegatët e partisë mund të zgjedhin dikë tjetër.
“Delegatët do të kenë shumë liri për të negociuar. Ata ndoshta mund të zgjedhin një kandidat që nuk ka marrë pjesë në fushatën e zgjedhjeve paraprake. Kjo ka ndodhur në vendin tonë. Por, kjo do të varet nga kuvendet kombëtare të partisë republikane dhe asaj demokrate”, tha për Zërin e Amerikës, John Fortier nga Instituti “American Enterprise”.
Nëse kandidati që i fiton zgjedhjet paraprake tërhiqet pas kuvendit kombëtar, atëherë partitë mblidhen sërish për ta zëvendësuar atë dhe kjo nuk garanton zgjedhjen e një kandidati për nënpresident.
Edhe nëse kjo ndodh pas zgjedhjeve procesi është i njëjtë. Për shembull, edhe nëse Biden i fiton zgjedhjet por nuk mund të fillojë mandatin e ri presidencial, nënpresidentja Kamala Harris nuk do ta zëvendësonte atë në mënyrë automatike, elektorët e shteteve do të duhej të votonin sërish për të zgjedhur presidentin./telegrafi