Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka vendosur që të tërhiqet nga gara për zgjedhjet evropiane të qershorit.
Kjo befasi erdhi vetëm tri javë pasi që vendimi i tij i papritur që të garojë pikërisht në këto zgjedhje u kritikua ashpër.
Gara në zgjedhje evropiane nënkuptonte që ai të braktisë më herët postin e tij në krye të institucionit kryesor politik të Bashkimit Evropian. Me largimin nga posti krijohej boshllëk, i cili do të duhej të përmbushej nga lideri i shtetit që kryeson me Bashkimin Evropian në atë moment.
Pikërisht këtu qëndron problemi kryesor, sepse Hungaria merr mandatin më 1 korrik e, rrjedhimisht, kryeministri i këtij shteti do të kryesonte me samite. Victor Orban jo rrallë është treguar problematik në vendimmarrje në nivel të liderëve të BE-së. Afërsia e tij me regjimin në Moskë ka bërë që vendimet lidhur me ndihmën për Ukrainën të bëhen shumë problematike.
Vendimi që të garojë në zgjedhjet e qershorit u kritikua, sepse konsiderohej se ai merrej më shumë më karrierë personale politike, sesa me mirëqenien e Bashkimit Evropian.
Gjithashtu do të ishte kundërthënëse periudha kur ai, nga pozita e presidentit të Evropës, do zhvillonte fushatë parazgjedhore.
Përderisa plasimi i tij në krye të listës për zgjedhjet evropiane u bë i ditur nëpërmjet të medieve, vendimin e tij për braktisje të garës parazgjedhore Michel e publikoi në rrjetet sociale.
Përmes një postimi të gjatë, Michel mbrojti vendimin e tij fillestar për të kandiduar në zgjedhje, por pranoi se kritikat e ashpra e kanë shtyrë ta rimendonte vendimin. Ai u arsyetua se nuk dëshiron që vendimi i tij të krijojë përçarje në Këshillin Evropian, ku uniteti është i domosdoshëm.
Ndonëse me këtë qëndrim u parandalua që kryeministri hungarez Victor Orban të udhëheqë për një periudhë me Këshillin Evropian, megjithatë dy vendime kontradiktore, brenda pak javësh, dëmtuan seriozisht imazhin e Charles Michel-it, sepse bëri që ai tani konsiderohet si politikan që ka probleme me gjykimet e tij./rtk