Mediat spanjolle raportojnë për interesimin e Manchester Cityt për Lamine Yamal, pra për shumën e ofertës që ata janë gati të paguajnë për talentin e madh spanjoll.
Lamine Yamal në moshën 17-vjeçare po bën mrekulli në fushën e futbollit dhe paraqitjet e tij në Barcelonë janë konfirmim se loja e mrekullueshme në Kampionatin Evropian me fanellën spanjolle nuk ishte rastësi.
Edhe pse futbollisti i ri ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka në plan të largohet nga Barcelona, dhe se dëshiron të fitojë statusin e legjendës aty, oferta për të cilën spanjollët po flasin sot, e cila vjen nga Manchester City, mund ta bëjë atë të mendojë.
Nëse duhen besuar mediat spanjolle, Manchester City ka përgatitur një ofertë prej 275 milionë eurosh për Yamal. Ky do të ishte një rekord absolut në botën e futbollit.
Fichajes raporton se qytetarët janë shumë të interesuar që ta sjellin Yamalin në Etihad dhe se e shohin atë si një projekt për dekadën e ardhshme e më shumë. Disa klube të tjera janë të interesuara për shërbimet e tij, por mundësitë e tyre financiare nuk janë as të ngjashme me ato të Manchester Cityt.
Ndonëse as Barcelona nuk ka ndërmend ta shesë, problemet financiare të viteve të fundit mund të harrohen në rast të shitjes së Yamal për 275 milionë euro.
Kjo do të zgjidhte shumë çështje në Camp Nou dhe klubi nuk do të ishte në një situatë ku nuk mund të regjistrojë lojtarë si Dani Olmo këtë sezon.
Meqë ra fjala, transferimi më i madh në historinë e futbollit është ai i Neymar nga Barcelona te Paris Saint Germain për 222 milionë euro.
Ai pasohet nga Kylian Mbappe (Monaco – PSG) për 180 milionë euro dhe Philippe Coutinho (Liverpool – Barcelona) për 135 milionë euro. Yamal do t’i kalonte shumë të gjitha në rast shitjeje.