Nënkryetari i parë i qeverisë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq tha se 16 prilli është “ditë turpi“ në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pasi shumica e deputetëve të saj e mbështetën anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë kushtuar të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të demokracisë.
Në Asamblenë Parlamentare votuan 171 deputetë, nga të cilët 131 ishin “pro”, 29 ishin “kundër”, ndërsa 11 abstenuan.
Siç raporton Radio Televizioni i Serbisë (RTS), Ivica Daçiq tha se Serbia do të vazhdojë luftën e saj “me të gjitha forcat” në mënyrë që vendimi të mos miratohet nga Komiteti i Ministrave më 16 maj.
“Do ta shohim vlerën e fjalës së bashkësisë ndërkombëtare që i dhanë presidentit Aleksandar Vuçiq se Kosova nuk do të pranohet në Këshillin e Evropës derisa të formojë Asociacionin e Komunave Serbe. Ose do të jetë sërish gënjeshtër”, tha Daçiq.