Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë të premten se Brukseli është duke e rritur trysninë ndaj Serbisë pas kërkesës zyrtare për ta futur Marrëveshjen e Ohrit, me të cilën Beogradi nuk u pajtua, në kornizën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
“Tani po përpiqeni t’ia impononi Serbisë një detyrim përmes Bashkimit Evropian dhe Kapitullit 35, që nëse dëshiron të bëhet anëtare, duhet të ketë të ashtuquajturin zbatim të plotë të marrëveshjes së Ohrit dhe pjesën e marrëveshjes me të cilën nuk u pajtua”, ka thënë Daçiqi për “TV Pink”.
“Me deklaratën gojore të presidentit të Serbisë, ai u shkëput nga disa formulime që sugjerojnë se kjo është një lloj njohjeje e Kosovës dhe se jemi dakord që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare”, ka thënë Daçiqi.
Më 3 shkurt, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Evropian (EEAS) ia dorëzoi Këshillit të BE-së propozimin për ta ndryshuar dhe plotësuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në bllok, duke e futur Kapitullin 35.
Dhjetorin e kaluar, Këshilli i Ministrave ka kërkuar nga komisioni që në negociatat e anëtarësimit ndërmjet Beogradit dhe Brukselit të përfshihen detyrimet nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Kapitulli 35 i kornizës së negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, që quhet “çështje të tjera”, në rastin e Serbisë përfshin edhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Për të vëzhguar përparimin në normalizimin e marrëdhënieve, ky kapitull ishte ndër të parët që u hap – më 14 dhjetor 2015.
Pamje nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe diplomatëve të Bashkimit Evropian, Josep Borell dhe Mirosllav Lajçak, në të cilin është arritur pajtueshmëri për marrëveshjen bazë.
Më 27 shkurt 2023, Serbia dhe Kosova e kanë arritur marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve. Një muaj më vonë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ato u pajtuan edhe për Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.
Gjithashtu është dakorduar që këto dokumente të bëhen pjesë integrale e procesit të anëtarësimit të Serbisë dhe të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Që nga viti 2011, Serbia dhe Kosova kanë zhvilluar një dialog për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, me ndërmjetësimin e BE-së.