Mungesa e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe shkuarja e tij në Durrës shkaktoi tensione mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Kritika për mungesën e tij në komision pati edhe nga deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani.
Në këtë komision ishte paraparë të shqyrtohet Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021.
Kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami tha se Murati 10 ditë më parë kishte konfirmuar ardhjen, derisa shtoi se nuk ka pasur asnjë njoftim për mungesë.
“Ne nuk kemi pasur asnjë njoftim prej kabinetit, e kam diskutuar sot me stafin në momentin kur e kam parë lajmin që ministri Murati është në vizitë në Shqipëri. Nuk kemi pasur asnjë njoftim që nuk vjen ose kërkesë për shtyrje ose diçka tjetër. Prandaj ne nuk kemi mundësi të shqyrtojmë raportin vjetor të auditimit pa prezencën e ministrit”, tha ajo.
Fillimisht deputeti Hajdar Beqa ka thënë se është e pakuptimtë që të shqyrtohet raporti pa prezencën e ministrit Murati. Deputeti Beqa ngriti bllokimin e pagave të shtatorit për grevistët, duke thënë se “Murati ndali pagat e mësimdhënësve derisa në vitin 2021 ka paguar 200 serbë pa shkuar asnjë ditë në punë”.
“Nëse i shikojmë të gjeturat, ka elemente të shumta edhe për prokurori. Një ministër që sot pikërisht në prag të dimrit i ndal pagat e mësimdhënësve, në të njëjtën kohë kemi pagat e rreth 200 qytetarëve të Kosovës nga komuniteti serbë që janë paguar tërë vitin 2021 edhe nuk kanë shkuar asnjë ditë në punë. Ky ministër është adoleshent, është i papërgjegjshëm, edhe nuk besoj që ka guximin të vjen dhe ballafaqohet me të shkelurat që i ka bërë gjatë vitit 2021”, theksoi ai.
Nënkryetarja e komisionit nga radhët e LVV-së, Arta Bajraliu ka arsyetuar mungesën e ministrit Murati. Ajo tha se shkuarja e Muratit në Durrës është urgjente.
“Nuk është e nevojshme të vazhdojmë të bëjmë politikë me çështje të tjera që nuk kanë të bëjnë me raportin dhe as nuk duhet të jemi paragjykues ndaj asaj pse ministri nuk është ardhur në Komision. Ne e kemi parë që është një vizitë urgjente në portin e Durrësit. Neve na kanë thënë nga zyra e ministrit që e kanë njoftuar komisionin, por ka mundur me pasur ndonjë keqkuptim”, theksoi Bajraliu.
Deputeti nga PDK-ja, Beqa e ka quajtur mazhorancën të sëmurë, ai iu drejtua deputetes Mirlinda Sadiku duke i thënë: “Keni nevojë për trajtim në psikiatri”.