Është e vështirë të thuash nëse mungesa e dekomunistizimit ka penguar krijimin e një të djathte ideologjike serioze në Shqipëri apo është mungesa e së djathtës ajo që pamundëson procesin e dekomunistizimit. Gjithsesi, këto mbeten aq të ndërvarura, saqë nuk mund të mendohet njëra pa tjetrën.
Shkruan: Mentor Beqa
Procesi i çmontimit të trashëgimisë politike, kulturore dhe psikologjike komuniste në Shqipëri, i njohur si dekomunistizim, është ndër më pak të suksesshmit në të gjithë hapësirën e ish bllokut të vendeve komuniste pavarësisht se Shqipëria ishte subjekt i një prej regjimeve totalitare më represivë, gjatë të cilit 26.768 burra dhe 7367 gra u burgosën për motive politike, u dënuan me vdekje dhe u vranë 5577 burra dhe 450 gra, ndërsa u skllavëruan mijëra të tjerë në mbi 100 kampe të punës së detyruar.
Tri dekada më vonë, mbizotëron ndjesia se është bërë pak ose aspak për të ndëshkuar përgjegjësit për krimet e kryera gjatë regjimit komunist, për pastrimin e jetës politike dhe të institucioneve publike prej autorëve, trashëgimtarëve dhe bashkëpunëtorë të ish regjimit komunist, për çlirimin e sferës akademike dhe kulturore nga hegjemonia institucionale dhe diskursive dhe pastrimin e hapësirave publike nga hegjemonia simbolike e ish-regjimit komunist.
Shqipëria mbetet e mbërthyer në rrethin vicioz oruellian ku ata që kontrollojnë të kaluarën kontrollojnë të ardhmen dhe ata që kontrollojnë të tashmen kontrollojnë të shkuarën. Ka shumë arsye që shpjegojnë gjendjen në të cilën ndodhemi, por më e rëndësishmja është ajo që lidhet me fatin (e keq) të së djathtës në Shqipëri e po ashtu në të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan. Përpara se të shtjellojmë argumentin është e nevojshme të theksojmë se në Shqipëri janë prodhuar më shumë ligje mbi dekomunistizimin se në secilin vend të Europës Juglindore e megjithatë procesi mbetet një premtim i papërmbushur në të gjithë dimensionet e tij.
Çfarë është bërë?
përmban domosdoshmërisht tjetrën. Në vitin 2015, u miratua ligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” me anë të të cilit u krijua Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, institucioni aktual përgjegjës për verifikimin e pastërtisë së figurave. Ligji nuk lejon verifikimin e figurës së zyrtarëve që i janë nënshtruar verifikimit më parë mbështetur në ligjin e vitit 1995. Nisma ligjore e Partisë Socialiste kërkon që të heq këtë kufizim ligjor ndërkohë që nisma më e fundit e një pjese të opozitës synon deklasifikimin e plotë të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe lustrimin e plotë të jetës politike dhe publike, por pa ofruar një arsyetim të shëndoshë se përse një proces i tillë do të jetë i suksesshëm kur ligjet e mëparshëm kanë dështuar.
Ku gabuam?
Dekomunistizimi nuk është proces thjesht ligjor. Është proces shumë kompleks politik, social, kulturor dhe psikologjik. Reduktimi i një fenomeni të tillë në çështje të hartimit të ligjeve e mjegullon fenomenin, pavarësisht se aspekti ligjor mbetet një komponent i rëndësishëm. Dekomunistizimi ka shfaqë arritje të diskutueshme në shumicën e vendeve ish komuniste të Europës Qendrore dhe Juglindore. Arsyeja e suksesit të kufizuar është universale: ruajtja e pozitave dominuese të strukturave të ish regjimeve komuniste edhe mbas të ashtuquajturve revolucione demokratike. Fati i dekomunistizimit ka qenë dhe mbetet i varur nga fati i së djathtës. Në vendet ku e djathta ka qenë në pushtet për periudha më të gjata (Poloni, Hungari, Çeki) procesi i dekomunistizimit ka përparuar, ndërkohë që me ardhjen në pushtet të së majtës (e majta në vendet e Europës Juglindore është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e partive komuniste) prirja për të rehabilituar periudhën komuniste ka qenë më e pranishme.
Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky rregull. Është e vështirë të thuash nëse mungesa e dekomunistizimit ka penguar krijimin e një të djathte ideologjike serioze në Shqipëri, apo është mungesa e së djathtës ajo që pamundëson procesin e dekomunistizimit. Gjithsesi, këto mbeten aq të ndërvarura saqë nuk mund të mendohet njëra pa tjetrën. Periudha kur dekomunistizimi shfaqi shenja suksesi relativ ishte gjatë periudhës së entuziazmit antikomunist në fillim të viteve 90-të, por me kalimin e viteve procesi u instrumentalizua për qëllime partiake dhe pikërisht ky ‘sukses i shpejtë’ përcaktoi deri diku edhe dështimin e tij në periudhën e mëvonshme.
Kjo lidhet me natyrën e Partisë Demokratike e cila u vetëpërcaktua si e djathtë në pikëpamje identitare; pra si antitezë e komunizmit, jo si parti ideologjikisht plurale. Ky karakter identitar kërkonte forcimin e lidhjes me shtresat historike antikomuniste. Meqenëse i ashtuquajturi revolucion demokratik ishte një lëvizje e udhëhequr nga individë dhe grupe sociale të krijuara gjatë regjimit komunist, ku roli i të ashtuquajturave “shtresa të përmbysura” ishte minor ose i paqenë, retorika e fortë antikomuniste do të shërbente si “kupa e shenjtë” për të shtrënguar radhët e votuesve antikomunistë rreth Partisë Demokratike. Që këtu, çfarë ishte e rëndësishme në pikëpamje afatshkurtër për Partinë Demokratike u shndërrua në arsye për dështimin afatgjatë të procesit të dekomunistizimit.
Ligjet e gjenocidit dhe të lustrimit filluan të aplikohen në mënyrë selektive. Etiketimi si ‘komunist’ u kthye në ekuivalent të stigmave të mëparshme famëkeqe si ‘armik i klasës’ apo ‘armik i partisë’. Drejtësia për viktimat e regjimit dhe pastrimi i jetës politike dhe publike nga mbetjet e regjimit i la vend instinktit primitiv të hakmarrjes dhe interesit politik ditor të Partisë Demokratike. Këto minuan gradualisht besueshmërinë e opinionit publik tek procesi i dekomunistizimit, i cili mori goditjen fatale me ardhjen e dhunshme në pushtet të Partisë Socialiste në vitin 1997.
Çfarë ishte dështimi i Partisë Demokratike u kthye në delegjitimim të dekomunistizimit dhe rivendikim “moral’ për ish komunistët. Me shpejtësi u rehabilituan ish figurat e larta drejtuese të regjimit komunist. Sfera politike u popullua me ish komunistë të gjithëfarsojshëm. Sistemi i drejtësisë u rivendos nën kontrollin e ish funksionarëve të regjimit komunist. Arkitektura e institucioneve akademike, shkencore dhe kulturore u rimor nën kontroll nga një elitë e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me të shkuarën komuniste. Pikëpamjet vlerësuese për figurën e diktatorit Enver Hoxha zunë vend në debatin publik. Zërat që mohonin krimet e komunizmit u shtuan, ndërsa simbolet komuniste u ringjallën. Dekomunistizimi pësoi praktikisht vdekje klinike.
Dekomunistizimi e humbi apelin ndaj shoqërisë dhe gjithnjë e më shumë shihej si kauzë e një grupi të veçantë interesi apo më keq si lojë politike në luftën për pushtet. Partia Demokratike iu rikthye edhe njëherë në vitin 2008 ligjit të lustrimit, por me pak mbështetje dhe shumë dyshime mbi qëllimet e nismës. Edhe Komisioni i Venecias doli në përfundimin që aplikimi i masave të lustrimit pas një kohe relativisht të gjatë pas fillimit të procesit të demokratizimit në një vend, rrezikon të ngrejë dyshime lidhur me synimet e tij të vërtetë.
A është i mundur dekomunistizimi?
Sot, 32 vjet pas rënies së regjimit komunist, gjendemi sërish në pikën zero të diskutimit normativ mbi domosdoshmërinë e lustrimit si komponenti më i drejtpërdrejtë i dekomunistizimit. Edhe pse shoqëria është e përqendruar në probleme akute, teorikisht lustrimi mbetet një mundësi pavarësisht se është e vështirë të thuash se çfarë rezultatesh do të kishte. Megjithëse nomenklatura e vjetër e partisë dhe sigurimit të shtetit është tanimë në pension dhe pushtetin e kanë kaluar te brezi pasardhës, një lustrim real dhe gjithëpërfshirës, do të përbënte bazën morale për krijimin e elitave të reja dhe çlirimin e procesit të dekomunistizimit gradual të shoqërisë shqiptare në Shqipëri dhe në hapësirën shqiptare në Ballkan.
Praktikisht, gjasat që kjo të ndodhë janë minimale për disa arsye. Së pari, rrethanat që kanë pamundësuar realizimin e lustrimit dhe dekomunistizimit në tërësi nuk kanë ndryshuar. E majta ruan pozitën hegjemone në jetën politike dhe publike në Shqipëri dhe në të gjithë hapësirën shqiptare. Mungesa e lustrimit është një prej shkaqeve që i garanton të majtës këtë hegjemoni dhe është naivitet të mendosh që e majta mund të heq dorë vullnetarisht nga një avantazh i tillë. Së dyti, besueshmëria tek vetë procesi është minuar për shkak të shndërrimit të procesit në armë të luftës politike ndërmjet palëve. E fundit dhe më e rëndësishmja, sepse e djathta në hapësirën shqiptare, e cila duhet të përbëjë forcën shtytëse të procesit, është në limbo. Është naivitet të besosh që mund të ketë dekomunistizim pa të djathtën. Dekomunistizimi nis me konsolidimin e një të djathte serioze dhe konkurruese në të gjithë hapësirën shqiptare që dekomunistizimin e konsideron si proces të natyrshëm të mirëqeverisjes.