Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha me stafin e tij kanë marrë pjesë në konferencën e udhëheqësve të lartë policorë për implementimin e rregullave për mbrojtën e të drejtave të njeriut në institucionet ligjzbatuese-SWIRPO, ku përveç Kosovës morën pjesë edhe përfaqësues të lartë policorë të shteteve të Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë, përcjell KosovaPost.
Konferenca SWIRPO është organizuar nga Organizata e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe Policia Nacionale e Kolumbisë e cila është mbajtur në Bogota të Kolumbisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe delegacioni i tij në këtë vizitë historike është pritur me nderime shtetërore nga Policia Nacionale e Kolumbisë.
Hoxha gjatë pjesëmarrjes së tij në këtë konferencë, ka mbajtur një fjalim para pjesëmarrësve, duke shpalosur të arriturat e Policisë së Kosovës në fushën e rendit dhe ligjit, me theks të veçantë në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
“Gjatë kësaj vizite stafi menaxherial i PK-së, së bashku me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Kolumbi, janë pritur në një takim të veçantë pune nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë Nacionale të Kolumbisë, gjeneral brigade Carlos Fernando Triana me bashkëpunëtorët e tij. Në takim u diskutua për mundësitë e formalizimit të iniciativave të reja dhe mundësive të bashkëpunimit në fushat e ndryshme të policimit, luftës ndaj krimit të organizuar, narkotikëve dhe të sigurisë së përgjithshme në mes të Policisë së Kosovës si dhe Policisë së Kolumbisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndër të tjera, Hoxha ka mbajtur një fjalim rasti para nivelit strategjik të gjeneralëve dhe komandantëve të Policisë Nacionale të Kolumbisë, duke i njoftuar për punën dhe angazhimin e Policisë së Kosovës, si dhe i ka bërë një ftesë zyrtare drejtorit të Policisë Nacionale të Kolumbisë për vizitë në Kosovë, i cili e ka pritur me kënaqësi.
Hoxha me delegacionin e tij ka takuar edhe drejtorin e Akademisë së Nënoficerëve edhe Oficerëve të Policisë Nacionale të Kolumbisë, ku është pritur nga drejtori i kësaj akademie, me ç’rast është prezantuar puna dhe të arriturat e kësaj akademie.
Pas vizitës në akademi Hoxha ka vizituar radion e Policisë Nacionale të Kolumbisë, ku edhe ka dhënë një intervistë në lidhje me të arriturat e punës së Policisë së Kosovës, në fushën e zbatimit të ligjit dhe ka dhënë mesazhe motivuese për punën e policëve të Policisë së Kolumbisë.
Vizita zyrtare ka përfunduar me takimin e realizuar në Ambasadën e Republikës së Kosovës, ku është pritur ngrohtësisht nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Kolumbi, Artan Duraku./Arbresh.info