Në një intervistë dhënë për Tëvë1, deputeti i Partisë Laburiste, Alex Sobel, thotë se Britania e Madhe do të jetë përkrah Kosovës në këto kohëra sfiduese për vendin. Ai mes tjerash ka deklaruar se një sulm paramilitar siç ishte ai në Banjska nuk guxon të përsëritet.
Kosova ka lidhje të ngushta historike me Partinë Laburiste në Britaninë e Madhe.
Ishte pikërisht ish-lideri historik i kësaj partie, Tony Blair,që dha kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e vendit në vitin 1999.
E laburistët janë rikthyer në pushtet në Britani pas plot 14 vjetësh qeverish konservatore.
Deputeti laburist, Alex Sobel, thotë për Tëvë1 se qeveria e re në Britani do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovës në këto kohëra sfiduese.
“Qeveria e udhëhequr nga Laburistët në vitin 1997 me figura qendrore si Tony Blair, Robin Cook, ishin ata që me të vërtetë luftuan për pavarësinë e Kosovës dhe ne vazhdojmë ta mbajmë këtë trashëgimi në partinë tonë. Unë e vizitova Prishtinën me ministrin tonë aktual evropian dhe ministrin aktual të Forcave të Armatosura, gjatë kohës sa ishim në opozitë. Ne u takuam me kryeministrin Albin Kurti dhe me shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës. Ne e kemi bërë të qartë se mbështetja jonë për Kosovën vazhdon të jetë e madhe. Së fundmi ne kemi mbështetur fuqishëm hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke lobuar tek ato shtetet që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit. Ne po bëjmë përpjekje t’i ndihmojmë Kosovës që të anëtarësohet në organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Gjithashtu ju mund ta shihni edhe kontributin tonë për forcat e KFOR-it për të ofruar garanci dhe siguri për Kosovën”, tha Sobel për Tëvë1.
Sobel i vlerëson si shumë të vështira negociatat në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo, ai thotë se duhet të ketë përpjekje maksimale nga Kosova për t’i normalizuar raportet me shtetin fqinj pasi që sipas tij nuk ka alternative tjetër përveçse dialogut.
Sobel ka folur edhe për sulmin paramilitar në Banjska, ku thotë se një incident i tillë në Kosovë nuk guxon të përsëritet më.
“Duam të shohim sa më shpejtë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia po vazhdon ta bllokojë Kosovën për tu anëtarësuar në organizata ndërkombëtare dhe kjo nuk aspak e mirë. E di që negociatat janë jashtëzakonisht të vështira në Bruksel por duhet të ketë përpjekje maksimale për normalizim të marrëdhënieve nga kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, AleksandarVuçiq. Nuk ka mënyra të tjera përveçse dialogut të zgjidhen mospajtimet sepse ndryshe do të nënkuptonte konflikt dhe nuk duhet të kthehemi aty. Nuk dua të shoh më incidente të tilla siç ishte ajo në Banjska”, tha ai.
Kujtojmë që Britania e Madhe ka dërguar trupa shtesë në kuadër misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku