Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim deputetin britanik David Lammy.
Në takim me deputetin dhe sekretarin e jashtëm laburist nën hije, David Lammy, ajo ka falenderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës që nga vitet e 90-ta.
Prandaj, brenda këtij konteksti, presidentja e Republikës kërkoi nga Lammy mbështetje të metëjme për sfidat, me të cilat po ballafaqohet Kosova në këtë periudhë.
Në takim, i bërë i ditur për publikun në Facebook, Osmani theksoi se “Kosova, si një sukses i përbashkët i popullit të saj dhe aleatëve ndërkombëtarë, ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e demokracisë, sikurse edhe të sundimit të rendit dhe ligjit. Duke qenë gjithnjë në anën e drejt të historisë, Kosova është rreshtuar krah aleatëve edhe me vendimet për sanksione ndaj Rusisë e në mbështetje të Ukrainës”.
Por, siç potencoi ajo, “interesimi i satelitit të Rusisë, Serbisë, për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor, është më i madh se asnjëherë më parë, për shkak se Serbia është e interesuar të bllokojë suksesin në dialog dhe të arrijë qëllimet e saj me dhunë e nëpërmjet bandave kriminale”.
Për këtë arsye, Presidentja shtoi se “Kosova ka ende nevojë për mbështetjen e aleatëve sikurse Mbretëria e Bashkuar, në mënyrë që të bëhen hapa përpara në forcimin dhe konsolidimin e mëtejmë të pozitës ndërkombëtare si dhe në luftimin e tendencave destabilizisuese ruso-serbe, thuhet në deklaratën e Presidencës”.
Në veçanti, liderja e vendit, veçoi rëndësinë e mbështetjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, si prioritete të menjëhershme.
Po ashtu në takimin me Lammy, është diskutuar edhe për procesin e dialogut me Serbinë ku Osmani ka përsëritur faktin se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, e cila po përballet me obstruksionet e vazhdueshme të Serbisë.
Ajo potencoi se “është me rëndësi që Mbretëria e Bashkuar ta vazhdojë trashëgiminë e saj të mbështetjes ndaj Kosovës jo vetëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, por edhe në intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm”.