Kuvendi i Republikës së Kosovës ka thirrur seancë të jashtëzakonshme, ku po debatohet lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, transmeton Kosova Post.
Deputeti i LVV-së, Jahja Kokaj, teksa ka folur për krizën energjetike në vend, ai tha se është shqetësuese, se Kosovës i duhet të angazhojë ekspert nga Gjermania për sanimin defektit në KEK.
Deputeti Kokaj tha se për çështjet energjetike duhet të flasin ekspertët e fushës dhe u angazhua që në këtë drejtim të angazhohen njerëzit kompetentë. “Problemin duhet ta fillojmë me faktin që jemi vend i bekuar nga zoti që faktikisht jemi vendi i tretë me potencialet energjetike thëngjillore.
Ato nuk i zbatuam, nëse flasim deri nesër nuk mund ta zgjidhim ku jemi sot, pas 50 vitesh pas qindra doktoratave, ne të strukur me dhoma të ftohta presim një gjerman të vije ta rregullojë gjeneratorin. Pyesim pse, pse atij duhet t’i paguajmë 2500 mijë euro etj, me gjithë respektin se ai e meriton”, ka thënë Kokaj.
Ai citoi edhe ekspertin e ndjerë të energjetikës Avni Kurshumliun, që kishte punuar në Obiliq, i cili kishte propozuar që pjesë të Termocentrali Kosova A të zëvendësohen me teknologji të re dhe të rivitalizohen kapacitetet e TC Kosova B si dhe t’i shtohet edhe me një bllok tjetër.
Kurshumliu, madje, sipas Kokajt, kishte paraparë që në vitin 2023 të mbyllen Kosova A dhe Kosova B dhe të ndërtohet një termocentral i ri. Deputeti para deputetëve ka folur edhe për hulumtimet e tij shkencore lidhur me energjinë dhe avansimin e shkencës dhe nanoteknologjisë.
“Unë jam këtu para jush për të uluruar. Edhe në të ardhmen do të uluroj kështu që të avansojmë zhvillimin shkencor dhe të kultivojmë nanoteknologjinë”, tha ai.Ai duke folur për çështjet e energjisë dhe problemet teknologjike tha se duhet t’i lënë anash inatet politike dhe për ato duhet të flasin dhe marrin vendime njerëzit me kompetencë.