Deputetja britanike Alicia Kearns është shprehur e shqetësuar për sigurinë dhe shëndetin e politikanit serb, Nikolla Sanduloviq, i cili u arrestua dhe u rrah brutalisht nga BIA serbe, për shkak se nderoi rënien e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Tepër e shqetësuar për sigurinë dhe shëndetin e Nikolla Sanduloviq pas raportimeve se ai ishte brutalizuar nga inteligjenca serbe”, ka shkruar ajo në “X”.
Ajo përmend parregullësitë në zgjedhjet që u mbajtën në Serbi, duke thënë se kaluan “butë” nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe BE.
“Shumë parregullsi të vërejtura në zgjedhjet serbe rezultuan në vetëm shprehjet më të buta të shqetësimit kalimtar nga MB, SHBA dhe BE. Zbutja ka pasoja”, shkruan ajo në platformën “X”.
Politikani serb Nikolla Sanduloviq është arrestuar dhe rrahur brutalisht nga BIA serbe, për shkak se nderoi rënien e komandantit legjendar Adem Jashari.
Avokati i politikanit Sanduloviq, Çedomir Stojkoviq, ka treguar ngjarjen në detaje për dhunën dhe linçimin në mediat e kapura nga Vuçiq që i është bërë klientit të tij.
Avokati pohon se pas postimeve të bëra ka nisur të marrë kërcënime. Si rrjedhojë, ai deklaron se Serbisë i duhet një opozitë e re dhe dhuna që u zhvillua ndaj politikanit është vazhdimësi e skenarit të Millosheviq.
“Në Serbi sapo kanë filluar vitet e nëntëdhjeta dhe ministri i atëhershëm i propagandës në qeverinë e Sllobodan Millosheviqit është presidenti aktual i Serbisë. Dhe i njëjti libër lojërash është përsëri në tavolinën e tij”, shkruan avokati Çedomir Stojkoviq në ‘X’.