Deputetja e Partisë Guxo Jeta Statovci ka reagur lidhur me procesin zgjedhor të referendumit që u mbajt sot në komunat veriore të Kosovës. Statovci ka thënë se pavarësisht dështimit të referendumit nga mosdalja e serbëve për të votuar rruga e Kosovës si shtet demokratik e kushtetues do të vazhdoj.
“Rruga jonë e demokracisë liberale e kushtetuese vazhdon, ndërsa nga ana tjetër politika destruktive, destabilizuese dhe e kryerjes me sukses të rolit të satelitit të Moskës në Ballkan nga Serbia, u rikonfirmua” ka shkruar Statovci.
Deputetja e Partisë Guxo ka thënë se mundësia e qytetarëve serbë që jetojnë në veri të Kosovës për ta shprehur vullnetin e tyre politik u refuzua si pasojë e një presioni dhe ndikimi të fuqishëm të strukturave politike të lidhura me grupe kriminale.
Statovci ka thënë se shpresojnë në ndëshkimin meritor nga ana e partnerëve ndërkombëtar për Serbinë, e cila, i gënjeu ata përsëri.
Më poshtë statusi i plotë i deputetës Statovci:
Qytetarët serbë të veriut, janë qytetarë të Kosovës, sikurse që veriu është territor i Kosovës.
Mundësia për qytetarët serbë që jetojnë në veri të Kosovës të votojnë sipas ligjit të Kosovës, për të shprehur në mënyrë demokratike, të pa ndikuar dhe të lirë, vullnetin e tyre politik, u refuzua. Kjo si pasojë e një presioni dhe ndikimi të fuqishëm të strukturave politike të lidhura me grupe kriminale.
Kosova përmbushi të gjitha standardet kushtetuese, demokratike dhe ligjore, ashtu siç bën një shtet Evropian. Të gjitha komunitetet pakicë të Kosovës, sikurse qytetarët tjerë, do vazhdojnë të jetojnë në demokraci, jo në anarki e autokraci.
Shpresojmë në ndëshkimin meritor nga ana e partnerëve tanë për Serbinë, e cila, i gënjeu ata përsëri!