Kuvendi i Republikës së Kosovës ka publikuar një njoftim zyrtar në lidhje me seancën konstituive të Legjislaturës së Nëntë e cila u mblodh konform vendimit të presidentes Vjosa Osmani, transmeton KosovaPost.
Në njoftim theksohet se seanca nisi punimet nën drejtimin e deputetit më të vjetër të legjislaturës, Avni Dehari (VV), i ndihmuar nga deputetja më e re, Sala Jashari (PDK).
Në seancë ishin të pranishëm edhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë të misioneve diplomatike në vendin tonë.
Kryesuesi i seancës, Dehari, fillimisht uroi deputetët për mundësinë e përfaqësimit të qytetarëve gjatë këtij mandati, si dhe përshëndeti ambasadorët dhe mysafirët e tjerë të pranishëm, duke proceduar më pas me rendin e ditës.
Në vijim u paraqitën propozimet për formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Partitë politike propozuan nga një anëtar të këtij komisioni, i cili mori mbështetjen e Kuvendit.
Pas mbledhjes së Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, raportin e të këtij komisioni e paraqiti deputeti Artan Abrashi, sipas të cilit ky raport në komision ka kaluar me shumicë votash.
Pas prezantimit të raportit, kryesuesi Dehari e hodhi në votim atë. Raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve për miratim. Kështu, për raportin votuan 52 deputetë, 46 votuan kundër, ndërsa 11 abstenuan.
“Në këto rrethana dhe pas një konsulte me përfaqësues të subjekteve politike, kryesuesi Dehari njoftoi për ndërprerjen e seancës, me qëllim që të njoftohet Presidentja për hapat e mëtejmë”, thuhet në njoftim.