Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e ish-pjesëtarit të MUP-it, i dyshuar për kidnapimin e Milan Vukashinoviqit.
Në raportin ditor, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Vidosav Mitroviç dyshohet se ka qenë i përfshirë në ndihmën për kryerjen e veprave penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “rrëmbim”, të ndodhura më 1 nëntor 2025.
Sipas Policisë, i arrestuari është ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) dhe dyshohet se ka asistuar në arrestimin e Vukashinoviq.
Policia thotë se më datën 20 dhjetor, njësitë policore, në bazë të urdhëresës së gjykatës kompetente, kanë kryer bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit. Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa prova materiale që mund të kenë lidhje me rastin, përfshirë nëntë telefona mobilë, një laptop, tre dokumente në format A4, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë dhe një tytë arme.
Policia ka bërë të ditur se hetimet janë në vazhdim, ndërsa të gjitha provat e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekzaminimit të mëtejmë.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka njoftuar opinionin publik për zhvillimet e fundit.
Sveçla përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se ekzistojnë dyshime të bazuara se Mitroviç ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Vukashinoviqit, i cili gjatë kidnapimit u plagos rëndë dhe aktualisht është duke u trajtuar në një spital në Serbi.
Sipas Sveçles, i arrestuari së paku ka qenë në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë më 2023.
























