Kur një studente refuzoi ta ndante dhomën e konviktit me të, Mimoza Zejnullahu ndjeu se aty ishin limitet e saj.
“Kur dikush nuk të pranon në dhomë për faktin se je e verbër… është një emocion i fortë. Aty ballafaqohesh fiks me limitet e tua”, thotë ish-studentja e psikologjisë.
Atë vit e quan “vit i territ”. Iu desh ta kalonte edhe një vit tjetër, derisa vendosi të bëhej pjesë e organizatës së personave të verbër në Gjilan, e pastaj edhe të fillonte studimet për Psikologji të Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës.
“Ka qenë vështirë të përshtatem me mësimin përmes dëgjimit, sepse për një person që është shkolluar duke shkruar vetë, është sfidë pastaj edhe mbajtja e shënimeve, sepse nuk kam ditur brajl [alfabetin për personat e verbër]”, thotë Mimoza – sot edhe me nivelin master të përfunduar.
Përpara se ta niste këtë edukim, ajo punonte si infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti. Dhe kalimi në psikologji nuk i ndodhi rastësisht.
Ajo vjen nga Vitia – pjesa juglindore e Kosovës – dhe studimet i kreu në Prishtinë, rreth 60 kilometra larg qytetit të saj.
Atëkohë jetonte në një konvikt të Qendrës së Studentëve në kryeqytet. Por, meqë banjat aty ishin të përbashkëta, mendoi që të kalonte në një konvikt tjetër, ku secila dhomë kishte banjën e vet.
“Kam dashur ta ndërroj dhomën, por kjo më ka bërë ta përjetoj shijen e hidhur që ta jep diskriminimi – u refuzova nga një vajzë që ishte aty dhe nuk deshi ta ndante dhomën me mua”, kujton Mimoza për Radion Evropa e Lirë.