Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë, kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore.
Kryeprokurori i PSK-së, Blerim Isufaj ka pritur delegacionin e kryesuar nga Altin Dumani.
“Qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje në mes të dy krerëve të institucioneve të ndjekjes parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve”, thuhet në komunikatën e ZKPSH-së.
Gjatë këtij takimi dy kryeprokurorët diskutuan për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimit dhe efikasitetit në luftën kundër krimit dhe forcimin e sundimit të ligjit në të dyja shtetet.
Kryeprokurori Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani, nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e kanë vlerësuar të rëndësishme, duke theksuar se ky është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë në mes të dy institucioneve të drejtësisë.