Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me inspektorë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të hënën kanë realizuar dy aksione të ndara në Prevallë kundër degradimit të ambientit.
Sipas njoftimit, në të dyja rastet, në bashkëpunim me mbikëqyrësit e parkut kombëtar “Sharri”, janë sekuestruar tre eskavator dhe një kamion si mjete të kryerjes së veprës penale, pajisje me të cilat ilegalisht po degradohej mjedisi.
Po ashtu bëhet e ditur se brenda afatit ligjor nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, në të dyja rastet e ndara janë duke u ndërmarrë veprime procedurale në drejtim të lëshimit të urdhërit të përkohshëm ndalues, si dhe paraqitjes së kërkesës në gjykatë për lëshimin e urdhërit ndalues përfundimtar së bashku me masën e përkohshme përkatëse.