Lahu e Azemi janë ulur në fund të sallës ku po mbahet seanca e rregullt, larg nga asamblistët e tjetër të Vetëvendosjes dhe te emri u shkruan “i pavarur”.
Lëvizja vetëvendosje në Prishtinë ka bërë të ditur se dy anëtarë të grupit parlamentar të Kuvendit Komunal në Prishtinë janë përjashtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Berat Lahu dhe Edmond Azemi nuk janë më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje!, me vendim të komisionit disiplinor të Lëvizjes. Vendimi i parë është marrë me datën 10.03.2025”, thuhet në njoftim.
Vetëvendosje thekson se ‘votimi dhe prezenca në seanca në të cilat dëmtohet interesi publik dhe tjetërsimi i vullnetit të qytetarëve për interesa të ngushta, janë arsyet e këtij përjashtimi’.
“Rruga jonë është gjatë dhe vështirë, ata që për interese personale tjetërsojnë këtë rrugëtim nuk kanë vend në Lëvizje”, thuhet në njoftim.
Tanimë ish-asamblisti i LVV-së, Berat Lahu, ka folur në mbledhjen e Kuvendit duke thënë se po do të flasë për “ndryshimin” që është parë në sallën e Kuvendi, duke iu referuar largimit të tij dhe të Azemit nga grupi.
Lahu ka akuzuar Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje për humbje të zgjedhjeve. Ai e ka akuzuar kryetarin e Qendrës në Prishtinë, njëherësh kandidat i VV-së për kryetar të kryeqytetit në zgjedhjet e kaluara Arben Vitia, për sabotim të fushatës.
Sipas tij, ndërë të tjera, kulmi ka qenë tendenca për të bllokuar qoftë edhe debatin për Planin Zhvillimor komunal.
“Tentimi dhe pamundësia çdo herë që në Komisionin për Financa të hiqet pika e rendit të ditës, Plani zhvillimor komunal e sjellë aty punën. Unë kam thënë që nëse VV-ja është kundër debatimit, jo kundër votimit, për të, këtu fshihet diçka e madhe dhe kjo ka sjellë që të sulmohem dhe para pak ditësh të marrë vendimin nga Komisioni disiplinor i LVV-së se përjashtohem, për shkak se nuk jam koordinuar me grupin, për vendime të cilat i falin 50 milionë euro nuk koordinohem me grupin, ndihem i turpëruar që kam qëndruar aty, pajtohem që është për Prokurori e për Planin zhvillimor komunal besoj që do ta shihni deri në fund të mandatit se çfarë do të dalë”, ka deklaruar Lahu.