Autoritetet kosovare i kanë mbyllur të premten pesë institucione paralele serbe në veri të vendit.
E dy ish-nënkryetarët, Ivan Zaporozhac dhe Igor Simiq do të intervistohen sot në stacionin e Policisë në veri të Mitrovicës.
Ivan Zaporozhac momentalisht është duke u intervistuar në stacionin policor.
Ndërsa, Tëvë1, mëson se nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq do të intervistohet sot në veri në ora 16:00.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri të Mitrovicës.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi ka thënë se institucionet paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
“Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Kosovës”, tha Krasniqi.
Ministri Krasniqi tregoi se institucionet e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë e kritikoi këtë vendim dhe tha se është e “shqetësuar dhe zhgënjyer” me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës të cilat pasqyrojnë rritjen e përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, dhe ai francez Olivier Guerot, e kritikuan vendimin duke e cilësuar si të “pakoordinuar dhe të njëanshëm”.