Dy persona janë lënduar pas shpërthimit të një granate dore në afërsi të një hoteli në Mitrovicë të Veriut, të hënën në mbrëmje.
Zëvendësdrejtori i Policisë për Veri, Veton Elshani, tha për RTKlive se nga shpërthimi janë dëmtuar 7 vetura e janë lënduar dy persona, prej tyre njëri me lëndime më të rënda, por jashtë rrezikut për jetë.
Ai tha se Policia gjendet në vendin e ngjarjes. “Rreth orës 23:50, dyshohet se ka shpërthyer një granatë dore te hoteli ‘Bisevac’ në Mitrovicë të Veriut. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar 7 vetura dhe dy persona janë lënduar, njëri prej tyre ka lëndime më të rënda, por jashtë rrezikut për jetë. Njësitet policore relevante janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin”, ka thënë Elshani për RTKlive.