Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë katër shtetas serbë në qytetin e Gjakovës, të cilët po prezantoheshin si pelegrinë.
Gjatë kontrollit në veturën e tyre me targa të Serbisë, janë gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë. Mes të arrestuarve janë identifikuar një toger i Policisë së Serbisë dhe një kapiten i Ushtrisë serbe.
Ngjarja është konfirmuar edhe nga raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës.
“Rr. Gasper Karaqi, Gjakovë / 05.04.2025 – 18:30. Katër të dyshuar meshkuj janë arrestuar për shkak se gjatë kontrollit në bagazhin e veturës së tyre me targa të Serbisë janë gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë. Të dyshuarit, në konsultim me prokurorin, janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Pas arrestimeve, Këshilli i Sigurisë së Kosovës është mbledhur me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar mbi rrezikun e “ndërhyrjeve kriminale” nga Serbia në territorin e Kosovës.
Në fokus të diskutimit ishin dy ngjarje të fundit: sulmi ndaj zyrës së Postës në Zveçan dhe arrestimi i katër shtetasve serbë në Gjakovë.
“Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu. Zyra është riparuar plotësisht dhe aktualisht po funksionon normalisht. Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë dhe tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë – dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.