Gjithmonë iniciativën për ndarjen me të shkuarën e ka marrë Partia Demokratike (PD), e cila simbolizon pluralizmin dhe demokracinë në Shqipëri dhe, kundërshtuese ose penguese, gjithmonë, ka qenë Partia Socialiste (PS), trashëgimtarja e Partisë së Punës, përgjegjëse për krimet e periudhës 1944-1991. Ky konflikt është logjik. Komunizmi në Shqipëri nuk u përmbys, por u transformua, u përshtat.
Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë
Gjatë muajve të verës, Shqipëria u përfshi në debatin për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, me premtimin se në shtator do t’i jepte zgjidhje përfundimtare problemit.
Ky debat nuk është diçka e re. Prej tri dekadash, ai nis, shuhet, shfaqet sërish… Ndoshta me pak ndryshime në formë, por në përmbajtje është gjithmonë i njëjti dhe përherë në rezonancë interesat e politikës së ditës.
Kësaj radhe fokusi i debatit ishin dosjet, herë të tjera ka qenë dënimi personave përgjegjës për krimet e komunizmit, lustracioni, etj. Kthimi te debati për të shkuarën komuniste, shpesh e me pasion, tregon se shoqëria shqiptare ka një ngërç në ndërgjegjen e saj.
Në vijim po japim një historik të shkurtër të përpjekjeve që janë bërë për mbylljen e llogarive me të shkuarën, të cilat më së shumti kanë dështuar.
Ligji nr. 7666, datë 26.01.1993 “Për krijimin e komisionit për rivlerësimin e lejeve për ushtrimin e avokatisë dhe për një ndryshim në ligjin nr. 7541, datë 18.12.1991 “Për Avokatinë në Republikën e Shqipërisë.
Ky ligj kishte objekt pastërtinë e figurës së personave që do të merreshin me ushtrimin e avokatisë. Ai ndalonte ushtrimin e këtij profesioni nga ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit, ish-bashkëpunëtorët e tyre; ish-anëtarë të komiteteve të PPSH dhe punonjësve të tyre në qendër dhe rrethe; ish-drejtues të institucioneve shtetërore në qendër dhe rrethe; ish-punonjës të kampeve dhe burgjeve. Ndalimi përfshinte dhe personat që kishin studiuar drejtësi mbi bazën e arsimit të shkollës së partisë; ish-drejtues të zyrave të kuadrit (zyrat e burimeve njerëzore) të të gjitha niveleve; ish-hetues, ish-prokurorë ose gjyqtarë që kishin marrë pjesë në procese politike të montuara, etj. Ky ligj u ankimua nga Partia Socialiste pranë Gjykatës Kushtetuese, e cila e deklaroi ligjin antikushtetues.
Ligji nr. 8001, datë 22.09.1995 “Për genocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare” (Ligji për genocidin).
Bazuar në këtë ligj u dënuan një numër ish-drejtuesish të lartë të regjimit komunist: Ramiz Alia, numri 1 i regjimit komunist në periudhën 1985-1991, Nexhmije Hoxha, e veja e Enver Hoxhës, Haxhi Lleshi, ish-kryetar i Kuvendit Popullor për disa dekada etj. Ky ligj synonte gjithashtu edhe ndalimin për t’u zgjedhur në organet qendrore ose lokale të pushtetit ose të emëroheshin në administratën e lartë të shtetit, në gjyqësor dhe media, persona që gjatë regjimit komunist kishin qenë drejtues të lartë në funksione politike, të zgjedhura, ekzekutive, gjyqësore, si dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Ligjit i mbaronte efekti më 31 janar 2001.
Ligji nr. 8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik” (Ligji për verifikimin e figurave).
Ky ligj synonte pastërtinë e figurës së personave që kryenin ose kërkonin të kryenin detyra të rëndësishme në strukturat e shtetit shqiptar. Funksionet që do t’i nënshtroheshin verifikimit të figurës ishin: Presidenti i Republikës, të zgjedhurit, funksionet drejtuese në ekzekutiv dhe në administratën shtetërore, drejtues në Forcat e Armatosura dhe forcat e policisë, ndihmësgjyqtarë, gjyqtarë, prokurorë dhe policia gjyqësore. Gjithashtu, verifikimit do t’i nënshtroheshin dhe drejtuesit e redaktorët në RTSH dhe ATSH; gazetarët dhe punonjësit me detyrën më të lartë në gazetat me tirazh mbi 3000 kopje; funksionet drejtuese në bashkësitë ekonomike, institucionet shtetërore financiare dhe të sigurimeve, si dhe në bankat shtetërore; rektorët dhe drejtorët në universitete dhe shkolla të larta. Për të shërbyer në funksionet e mësipërme, personi duhej që, gjatë gjithë periudhës 28.11.1944 gjer më 31.03.1991, të mos kishte qenë drejtues në strukturat politike të Partisë së Punës, i zgjedhur, drejtues në ekzekutiv ose në administratën shtetërore, oficer dhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit apo i ndonjë shërbimi të huaj analog, denoncues ose dëshmitar i rremë në proceset politike, hetues, prokuror ose gjyqtar në procese politike speciale.
Grupi parlamentar i PS-së dhe PSD-së e ankimuan ligjin. Gjykata i shfuqizoi dispozitat e këtij ligji që parashikonin që gazetarët e gazetave t´i nënshtroheshin kontrollit dhe dispozitën sipas së cilës ministri i Drejtësisë lejohej të bënte kërkesë për verifikimin e kryesive të partive dhe shoqatave politike.
Ligji u ndryshua disa herë. Me ndryshimin e pushtetit më 1997, iu bënë ndryshime të tjera, duke e ngushtuar rrethin e pozicioneve që ishin mbajtur gjatë regjimit komunist, që përbënin kusht pengues për kandidim ose emërim. Ligji për verifikimin e figurave e humbi fuqinë shumë kohë më parë se të pushonin juridikisht efektet e tij, më 31 dhjetor 2001.
Ligji nr. 10034, dt. 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” (Ligji i lustracionit).
Ky ligj synonte kontrollin e pastërtisë së figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tij në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së regjimit komunist, si edhe në strukturat e ish Sigurimit të Shtetit, për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990. Edhe ky ligj u ankimua përsëri në Gjykatën Kushtetuese, nga deputetët e majtë, por kësaj radhe deputetëve iu bashkëngjitën dhe organizata jo qeveritare, që kanë funksionuar gjithmonë si leva të së majtës, Shoqata Kombëtare të Prokurorëve dhe Komiteti Shqiptar të Helsinkit. Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi këtë ligj me vendimin nr. 9, dt. 23.03.2010.
Në maj 2020, u paraqit, nga një grup deputetësh, në Kuvendin e Shqipërisë projektligji “Për përjashtimin nga emërimi, zgjedhja në organe drejtuese dhe punësimit në funksione publike, shtetërore dhe politike të ish-funksionarëve, nëpunësve që kanë ushtruar detyra drejtuese në periudhën 28.11.1944 deri në 8.12.1990”. Siç kuptohet dhe nga titulli, ky ishte një projektligj lustrimi, i cili nuk arriti as të shkonte në seancë plenare në Kuvend, e le më të miratohej. Ai u rrëzua nga PS-ja që në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Ajo që bie në sy në këtë historik është se gjithmonë iniciativën për ndarjen me të shkuarën e ka marrë Partia Demokratike (PD), e cila simbolizon pluralizmin dhe demokracinë në Shqipëri, ndërsa kundërshtuese ose penguese gjithmonë ka qenë Partia Socialiste (PS), trashëgimtarja e Partisë së Punës, përgjegjëse për krimet e periudhës 1944-1991. Ky konflikt është logjik. Komunizmi në Shqipëri nuk u përmbys, por u transformua, u përshtat, pa e zgjidhur konfliktin historik me rrënjët në luftën civile gjatë periudhës 1943-44.
Gjatë verës, PD-ja depozitoi një projektligj për ndryshime në ligjin e dokumenteve të klasifikuara, me miratimin e të cilit konsiderohen të deklasifikuara të gjithë dokumentet e Sigurimit të Shtetit, të cilat disponohen nga arkivat e rrjetit arkivor të Shqipërisë. Ky projektligj u miratua nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili është hallka e parë, pastaj kalon në seancë plenare për t’u kthyer në ligj. Gjasat janë që konsensusi i treguar në Komision nga PD-ja dhe PS-ja do të aplikohet në seancë plenare. Ky projektligj, nëse miratohet, nuk është se sjell zgjidh ndonjë gjë të madhe. Thjesht, nuk do të dëgjohen më zërat që kërkonin hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.
Me ndikim, nëse miratohet, do të ishte një projektligj tjetër, i depozituar në Kuvend nga PD, më 4 gusht 2022, i cili ka për objekt përcaktimin e “mënyrave për ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të natyrës kriminale të regjimit totalitar komunist…, në funksion të ndërtimit për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm të një shoqërie të re dhe demokratike, që njeh dhe respekton të drejtat themelore të njeriut”. Ky projektligj synon ndalimin e propagandës së regjimit komunist, duke hequr nga qarkullimi simbolet e atij regjimi, veprat artistike dhe filmike të prodhuara gjatë regjimit komunist, etj.
Ky projektligj, në gjykimin tim, nuk do të miratohet. Ai cenon trashëgiminë historike të PS-së, të cilën anëtarësia dhe votuesi i saj e shikon me nderim, respekt ose nostalgji. Duke qenë mazhorancë në Kuvend, besoj se PS-ja do ta rrëzojë projektligjin që në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Fatkeqësisht, ky është realiteti.