Deri në dy javë pritet të zgjasë procesi i rinumërimit të votave për kandidatë në gjithë Kosovën, pas vendimit të sotëm të KQZ-së. Kështu tha për RTKlive, zëdhënësi, Valmir Elezi, i cili tregoi se është shtuar numri i ekipeve të numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Duke u mbështetur në dy vendimet e KQZ-së (13 dhe 19 janar 2026) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve rinumërimi do të përfshijë të gjitha vendvotimet, 2,557 sosh, në të cilat më 28 dhjetor 2025 është zhvilluar votimi i rregullt. Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e hënë, 19 janar 2026, ora 16:00) në QNR janë rinumëruar 610 vendvotime. Pra, gjatë ditëve në vazhdim, në përgjithësi do të rinumërohen 1,947 vendvotime”, tregoi Elezi për RTKlive.
Elezi tha se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve aktualisht, janë 38 ekipe numërimi vetëm gjatë një ndërrimi pune, pra siç tregoi ai, 76 gjithsej.
“I gjithë procesi i rinumërimit të 1,947 vendvotimeve / kutive të votimit, mund të zgjasë nga 12 – 14 ditë”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot vendosi në mënyrë unanime që të shkohet në rinumërim të plotë të votave të kandidatëve për deputetë në çdo komunë të Kosovës, kjo pasi janë identifikuar parregullsi të shumta në numërimin e votave të kandidatëve, derisa u vendos edhe t’u ndërpritet mandati përfaqësuesve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.


























