Dy persona janë plagosur nga shpërthimi i mbrëmshëm në afërsi të një lokali në Mitrovicën e Veriut, e që sipas policisë, dyshohet se granata u hodh në drejtim të dy qytetarëve të cilët po dilnin nga ai lokal.
Sipas institucioneve të sigurisë, granata ishte gjuajtur nga një veturë në lëvizje pranë lokalit të njohur në atë zonë “Bishevac”, e ku veç të plagosurve, pati edhe dëme materiale.
Gjatë ditës së sotme situata ishte e qetë. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha për RTK-në se njëri nga të plagosurit është në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në spitalin e Mitrovicës së Veriut.
“Mbrëmë policia është njoftuar për një shpërthim me granatë dore në rrugën e Kollashinit. Kemi dalë në vendin e ngjarjes, kemi hasur në dy persona të plagosur, njëri më rëndë ndërsa tjetri më lehtë. Sipas informatave që kemi është se tre persona kanë qenë duke qëndruar në një kafene, aty afër në atë rrugë dhe sapo kanë dalë në rrugë një granatë ka shpërthyer afër veturës së tyre”, ka theksuar Elshani.
Ai tutje ka bërë të ditur se policia po i vazhdon hetimet.
“Rrethanat e shpërthimit të granatës nuk kemi mundësi t’i bëjmë të ditura, sepse janë pjesë të hetimit, por ka pasur edhe vetura të dëmtuara. Për shkak të hetimeve nuk mund të flasë për personat e dyshimtë, por nuk kemi të arrestuar”, ka shtuar ai.
Tutje Elshani ka thënë se situata e sigurisë në veri është e qetë por delikate për shkak të zhvillimeve politike, duke shtuar se Policia e Kosovës po merret me rastet që cenojnë sigurinë e qytetarëve.