Sot mbushen 28 vjet nga rënia heroike e familjes Jashari nga Prekazi, një nga ngjarjet më të më të lavdishme të historisë së re të Kosovës.
Kjo datë shënon fillimin e Epopesë së UÇK-së, që përfaqëson sakrificën sublime për liri dhe dinjitet kombëtar, e cila në fund kulmoi me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat serbe rrethuan kullën e Jasharëve.
Në përballje të pabarabartë, Adem Jashari, së bashku me familjen e tij, zgjodhën qëndresën deri në flijim, duke u bërë simbol i pathyeshmërisë dhe i vendosmërisë për çlirim.
Rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe mobilizoi mijëra djem e vajza për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga ajo ditë, Epopeja e UÇK-së u kthye në kushtrim lirie, duke shënuar një kthesë vendimtare në rrugëtimin drejt çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
Në këtë ditë të shënuar do të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, si dhe po ashtu mbledhje solemne nga Qeveria e Kosovës.


























