Federata Evropiane e Trashëgimisë Kulturore “EuropaNostra”, ka bërë presion që të mos flitet asessi për Manastirin e Deçanit, nga pjesëmarrësit në një konferencë që po mbahet në Pejë, transmeton Kosova Post.
“EuropaNostra” si dhe Universiteti Katolik i Leuvenit në Belgjikë, i kanë bërë presion organizatorëve të konferencës ILUCIDARE Playground & Conference që po mbahet në Pejë, duke kërkuar që të anulohet çdo bisedë dhe aktivitet për Manastirin e Deçanit. Kjo ka bërë që të anulohet punëtoria e studiueses nga Universiteti i Cambridge-it Nora Weller Visoka, e cila ishte ftuar të fliste mbi politizimin e trashëgimisë kulturore.
Ndërkohë, ajo për media ka thënë se: “është hera e parë në jetën time që më kërkohet direkt të mos flas për hulumtim shumëvjeçar që është shikuar nga shumë akademikë të mirënjohur të trashëgimisë kulturore nga Universiteti i Cambridge-it.
Kjo censurë është kundër legjislacionit evropian për lirinë e shprehjes dhe kundër misionit të publikuar të këtyre organizatave, që thonë se punojnë për krijimin e platformave për debate të shëndosha mbi trashëgiminë kulturore, por që po kontribuojnë në politizimin e trashëgimisë dhe ndarjen e shoqërisë multietnike në Kosovë. Ironikisht ky është shembull se si politizohet trashëgimia kulturore.”
Më tutje, Weller ka shtuar se “gabimet serioze dhe politike që EuropaNostra i ka bërë kur ka shpallur Manastirin e Deçanit monument të rrezikuar, tashmë janë të mirëdokumentuara dhe do të jenë shembull i ligjërimit ndër vite se si politizohen kufinjt e trashëgimisë kulturore.”
E pyetur se kush ka kërkuar anulimin e punëtorisë së saj, Weller ka thënë se nuk e ka të qartë, por që i është thënë nga organizatorët që presioni ka ardhur nga Profesor Koen Van Balen nga Universiteti Katolik i Leuvenit, i cili pritet që sapo të pensionohet të shkojë në EuropaNostra. Federata Evropiane e Trashëgimisë Kulturore “EuropaNostra”, para disa muajsh e kishte listuar Manastirin e Deçanit në mesin e “7 monumenteve më të rrezikuara”, për çka kishte marrë letër ankuese nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryesministri Albin Kurti, me shpjegime që Manastiri i Deçanit nuk rrrezikohet nga askush.