Policia e Kosovës edhe një herë në raportin ditor, ka ritheksuar se ndaj të arrestuarve për “fajde” e ”detyrim” në Gjilan, posedojnë prova të mjaftueshme për veprën penale që e kanë bërë.
“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, më 21.06.2024 ka filluar realizimin e operacionit policor për arrestimin e personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale ‘Fajde’ dhe ‘Detyrim’. Gjatë hetimit të këtij rasti janë gjetura prova, se të dyshuarit kanë kryer veprat penale të ‘fajdesë’ dhe ‘detyrimit’ për të cilat janë hetuar”thuhet në njoftim.
Të dyshuarit në këtë rast, sipas policisë, në vazhdimësi kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes se interesit nga veprimtaria e fajdesë duke e detyruar të njëjtën të veprojë në dëm të pasurisë se tij dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të dyshuarit i kanë shkaktuar dëme materiale në vlerën mbi 600 mijë euro.
Viktimën e kanë detyruar, siç thekson policia në raportin 24 orësh, që ta mbyllë dhe ta shes kompaninë e tij.
“Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 2 të dyshuar meshkuj kosovarë, ndërsa lidhur me rastin janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.