Fëmijët po përballen me një situatë “katastrofike” në Gaza, ku prindërit nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t’u japin ujë të kripur, sipas agjencisë së OKB-së për ndihmë për fëmijë, Unicef.
Toby Fricker, një zëdhënës i organit, i tha BBC News se mungesat që ekzistonin në Gaza edhe para konfliktit aktual ishin “rritur në një nivel tjetër”, përcjell Telegrafi.
“Një nga anëtarët e stafit tonë, ajo ka një katërvjeçare, një shtatëvjeçare, dhe ajo thjesht po përpiqet t’i mbajë vajzat të sigurta, për t’i mbajtur ato gjallë në baza të përditshme”, tha ai.
“Ajo foli për mënyrën sesi ata po pinë vetëm ujë të kripur dhe vajza e saj thotë: Mama, pse nuk mund ta kem ujin normal që kishim në ditët e zakonshme?”.
I pyetur për furnizimet me ndihma që tani kanë mundur të hyjnë në Gaza, Fricker tha: “Ka pasur furnizime, por janë jashtëzakonisht minimale”.
“Kur shihni nevojat e jashtëzakonshme në terren që kemi, duhet të ketë shumë, shumë, shumë më tepër”.
Fricker bëri thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” dhe rritje të ndihmave në Gaza “të qëndrueshme”.
“Ajo që ne po shohim tani në baza të përditshme është se fëmijët po vriten, fëmijët po plagosen, po gjymtohen”, tha ai.
“Dhe kjo është gjëja numër një – të mbroni jetën e fëmijëve dhe t’i mbani fëmijët gjallë”.