Sot, Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia ka vizituar Klinikën e Onkologjisë në QKUK për të parë nga afër punimet të cilat kanë filluar lidhur me investimet që do ta transformojnë rrënjësisht këtë klinikë, përcjell Kosova Post.
Gjatë kësaj vizite Ministri Vitia u prit nga drejtori, Dr. Ilir Kurtishi dhe stafi i Klinikës së Onkologjisë.
Me këtë rast, Ministri Vitia theksoi rëndësinë e investimeve të cilat kanë filluar në Klinikën e Onkologjisë, në vlerë të 2.1 milionë euro të parapara në infrastrukturë dhe aparaturë të avancuar.
Sipas ministrit Vitia, përkujdesi ndaj qytetarëve si dhe avancimi i shërbimeve shëndetësore janë gjithmonë prioritet i Ministrisë e Shëndetësisë.
“Tashmë është i gatshëm edhe projekti infrastrukturor i detajuar për sigurimin e kushteve me të favorshme për pacientët në Onkologji”, tha ministri Vitia.
Ai theksoi edhe rëndësinë e shtimit të kapaciteteve të resurseve humane për riorganizimi të dhënies së shërbimeve në dy ndërrime, ndërsa bashkërisht ne stafin diskutuan edhe për projektimin e decentralizimit të shërbimeve onkologjike me qëllim që qytetarët të kenë trajtime sa më dinjitoz.
Në këtë takim, ministri Vitia ritheksoi se Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar për të ngritur cilësinë e shërbimeve dhe sigurimin e terapisë për pacientët në nevojë.
Aktualisht, furnizimi me barna për pacientët e Klinikës së Onkologjisë është 90%, ndërsa furnizimi me material shpenzues 85%. Është shtuar angazhimi që kjo përqindje të rritet dhe të plotësojë nevojat e pacientëve tanë. Veçanërisht, pas ndarjes më të lartë të buxhetit për Listën Esenciale të Barnave, i cili për herë të parë do të jetë 60 milionë euro.