Ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët në mbështetje të iniciativës arabe për rindërtimin e Rripit të Gazës, e cila u miratua në një samit urgjent në Kajro këtë javë.
“Plani paraqet një rrugë realiste për rindërtimin e Gazës dhe premton – nëse zbatohet – një përmirësim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të kushteve katastrofike të jetesës për palestinezët në Gaza,” thuhet në deklaratë.
Ministrat e katër vendeve europiane theksuan gjithashtu se “Hamas nuk duhet as të qeverisë Gazën dhe as të përbëjë më një kërcënim për Izraelin”. Ata shprehën mbështetje të qartë për një rol qendror të Autoritetit Palestinez dhe për zbatimin e agjendës së tij të reformave.
Plani arab nuk e përjashton në mënyrë të drejtpërdrejtë Hamasin, por bën thirrje për zgjedhje të shpejta për të përcaktuar kontrollin mbi territoret palestineze. Hamas e ka mirëpritur këtë propozim për zgjedhje, duke sinjalizuar se mund të jetë i gatshëm të largohet nga kontrolli i Gazës.